Dy rikthime dhe mungesa të tjera për Dinamon, Daja bën sërish ndryshime në formacion
Dinamo do të presë sot Tiranën në “Air Albania” në përballjen e tyre të fundit për këtë sezon futbollistik. Skuadrat do të zbresin në fushë me ndryshime në formacion, kjo edhe për shkak të dëmtimeve dhe rikthimeve, sidomos në kampin blu që kanë qenë të shumta në këtë kampionat. Të dyja skuadrat janë të destinuara që të kërkojnë fitore për shkak të objektivave që ekipet kanë këtë sezon.

MUNGESAT- Dinamo do të duhet të luajë kundër Tiranës pa shërbimet e Bakari Gudiabit i cili është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Bylisit, ndërkohë që aktualisht është pjesë e skuadrës B pas tensionit që ka pasur mes tij dhe trajnerit Ilir Daja. Jashtë për këtë takim kanë mbetur sërish edhe Bernard Berisha dhe Saliu Guindo. Të dy lojtarët janë të dëmtuar pasi kanë shfaqur probleme fizike në javët e fundit, duke shtuar në këtë mënyrë shqetësimet për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja.
RIKTHIMET- Mungesat janë të shumta, por Daja mund të buzëqeshë me rikthimet e rëndësishme që do të ketë në derbin ndaj Tiranës. Golashënuesi më i mirë në skuadër, Dejvi Bregu ka shlyer pezullimin e kartonëve dhe do të jetë gati për takimin ndaj Tiranës duke shtuar më shumë mundësitë në sulm për skuadrën e Dajës. Ndërkohë, një tjetër rikthim me peshë për “nëndetësen”, është ai i mesfushorit Klevi Qefalija. Ish-lojtari i Tiranës, ka pasur një dëmtim që e ka mbajtur jashtë për disa javë dhe do të jetë gati për sfidën e sotme, teksa me shumë gjasa, nga trajneri Daja nuk do të preferohet titullar.
FORMACIONI- Me mungesat dhe rikthimet që skuadra e Dinamos ka pasur në javën e fundit, trajneri Daja do të duhet që të bëjë ndryshime në formacionin që do të zbresë në fushë. Kështu, porta do t’i besohet sërish Aldo Teqjes, për të cilin do të jetë ndeshja e 32-të këtë sezon në Superiore ndërkohë që në mbrojtje do të ketë vend për Alijin e Teikseirën. Në krahët e mbrojtjes, me shumë gjasa do të marrin fanellë titullari në të majtë Neziri e në të djathtë Ismaili.
Në mesfushë, pritet të ketë ndryshime, teksa nga minuta e parë do të jetë Dita para mbrojtjes, i ndihmuar nga Malomo dhe Ledio Beqja. Në repartin e sulmit, sërish ka ndryshime me Bregun që rikthehet titullar në të djathtë, së bashku me Nanin në të majtë. Në qendër të sulmit, me shumë gjasa do të jetë Ibrahim Mustafa, i cili në fakt ëhstë në balotazh pasi mund të jetë edhe Bregu në qendër dhe Lorenco Vila në krahun e djathtë për të lënë në stol Mustafanë.

PANORAMASPORT.AL













