“Duhej të largoja tre lojtarë që në pjesën e parë”, Moriero i ka idetë e qarta: Po i jap identitet Flamurtarit, për sa kohë të jem unë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2025 | 22:22

“Duhej të largoja tre lojtarë që në pjesën e parë”, Moriero i ka idetë e qarta: Po i jap identitet Flamurtarit, për sa kohë të jem unë…

Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero, ka qenë i zhgënjyer me humbjen e skuadrës së tij ndaj Teutës. Por ai thekson se ekipi duhet të mendojë për ndeshjet e radhës, duke u përpjekur të përsëritë dëshirën e  shfaqur në pjesën e dytë.

bandicam 2025-10-25 19-57-56-491

“Në futboll nëse dhuron tre gola, për të gjithë ekipet bëhet e vështirë. Kemi lejuar shpërqendrime që nuk na lejohen në këto momente, me një ekip si Teuta që është në formë në këto momente, nuk mund të lejosh kaq shumë hapësira.

Kemi bërë disa gabime me daljet nga poshtë. Një gabim tjetër ishte kur Ramani mori topin me shpinë, duhej të pasonte mbrapa. Pastaj pësuam menjëherë gol pasi kishim shënuar, mungonin vetëm 2 minuta nga fundi i pjesës së parë. Si po shkonin gjërat, duhej të ndërroja tre lojtarë që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë skuadra reagoi, kishim distanca, skuadra reagoi.

Sipas meje në një ndeshje ka shumë ndeshje brenda. Module që ndryshojnë, normalisht që nëse lojtari kundërshtar arrin para teje, e fiton duelin dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë absolutisht. Unë dua të shoh ekipin që luajti në pjesën e dytë, të rifillojmë nga kjo pjesë e dytë, me një skuadër që u përpoq në çdo mënyrë të barazonte. Kishim rastet tona. Por dua vendosmëri maksimale. Sa i përket gabimeve, e dini që mua më pëlqen që ekipi im të luajë futboll. Mund ta pranoj gabimin se janë pjesë e futbollit, por shpirti i garës nuk duhet të mungojë kurrë, pasi përndryshe bëhet shumë e vështirë. Kampionati është ende i gjatë, e nuk e kemi nisur në mënyrë pozitive. Po shoh progres, edhe pse rezultati është më i rëndësishëm, por e kam thënë që humbja edhe të bën të rritesh, të tregon që nuk bëhet më shaka.

Është normale që duhet të kërkoj më shumë. Kur erdha kishte probleme të dukshme. Po mundohem t’i jap një identitet ekipit, nuk mund të kufizohem vetëm me rezultate, duhet përmirësuar aspekti fizik. Nuk kemi shumë kohë se të mërkurën kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Por ju garantoj që njoh një nga një të gjithë lojtarët dhe e di çfarë mund të japin. Do të ishte e thjeshtë të thuhet që trajneri nuk njeh lojtarët, këto janë llafe që i merr era. E di çfarë japin dhe çfarë pretendoj nga ata, për sa kohë të jem, do luftojmë nga minuta e parë në të fundit, duke shpresuar edhe që fati të na ndihmojë”, tha Moriero për RTSH pas sfidës.

PANORAMASPORT.AL