Doli nga Barça dhe e solli Tare në Vlorë, sulmuesin problematik që luajti te Flamurtari e përjashtojnë nga klubi i radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2026 | 22:26

Doli nga Barça dhe e solli Tare në Vlorë, sulmuesin problematik që luajti te Flamurtari e përjashtojnë nga klubi i radhës

Shumë talent, por edhe shumë probleme që e shoqëronin. Mamadu Tunkara ka marrë nofkën e “djalit të keq” që e shoqëron kudo dhe që praktikisht i ka shkatërruar karrierën. Dhe duket se sulmuesi i cili ka luajtur edhe në Superiore me fanellën e Flamurtarit, ka bërë bëmën e radhës.

tunkara-1

Klubi i Pompeit, në Serinë D italiane, ka dalë me një komunikatë ku bënte të ditur se kishte ndërprerë marrëveshjen me futbollistin, të nënshkruar vetëm më datë 5 janar. “Dëshirojmë të theksojmë se sjellja e tij ndaj klubit nuk ishte në përputhje me vlerat dhe respektin që klubi ynë pret nga ata që veshin fanellën”, shkruhej në komunikatën që bënte të ditur prishjen e marrëveshjes mes palëve.

Tunkara kishte nënshkruar me këtë klub pas një pezullimi prej 10 muajsh nga Federata Italiane, që e kishte shpallur fajtor kur luante në sezonin e kaluar për Guidonia Monteçelio për një karton të verdhë të marrë me dashje, duke dyshuar se bëhej fjalë për trukim ndeshjeje në favor të basteve sportive.

Ky është episodi më i fundit i një karriere të djaloshit i cili shihej si shumë premtues në fillimet e tij kur luante ne akademinë e Barcelonës e më pas të Lacios. Pikërisht nga Lacio, ishte Igli Tare ai i cili e dërgoi huazim për disa muaj te Flamurtari në Vlorë në vitin 2018, por me futbollistin i cili nuk ia doli të linte gjurmë.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL