DOKUMENTI / UEFA solli 10 milionë euro në Shqipëri në sezonin e kaluar, 2,2 milionë euro ishin dhuratë për klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2026 | 17:22

DOKUMENTI / UEFA solli 10 milionë euro në Shqipëri në sezonin e kaluar, 2,2 milionë euro ishin dhuratë për klubet

Futbolli shqiptar ka përfituar rreth 10 milionë euro në edicionin e kaluar si pjesë e asaj që UEFA cilëson pagesë solidariteti në bilancet e saj financiare. Në dokumentin e publikuar së fundmi nga organizata që drejton futbollin në kontinent, janë zbuluar shifrat që kanë përfituar vendi ynë në edicionin 2024-2025, me shuma që duhet të kenë lehtësuar padyshim punën e FSHF-së dhe klubeve shqiptare.

WhatsApp Image 2026-02-12 at 15.14.47

Në total, futbolli shqiptar në vitin e kaluar ka arkëtuar pak më shumë se 9,9 milionë euro, të cilat janë shpërndarë te FSHF dhe klubet. Këtu, nuk përfshihet shifra që përfiton FSHF në mënyrë direkte për Kombëtaren, si bonuset për fitore, pjesëmarrjen apo edhe për të drejtën TV.

Megjithatë, institucioni i futbollit ka përfituar një shifër prej 2,3 milionë eurosh për investime të ndryshme, si dhe rreth 2,8 milionë euro të ardhura të tjera që UEFA i llogarit të shkojnë kryesisht për punët administrative të saj. Shifra jashtëzakonisht të larta që tregojnë se kapacitetet financiare të FSHF-së janë të mëdha për shkak të këtij fluksi të ardhurash që vijnë pa ndalim nga ndërkombëtarët.

Sa u përket klubeve, ata që kanë marrë pjesë në kompeticionet europiane kanë përfituar pak më shumë se 2,5 milionë euro në sezonin e kaluar, me 880 mijë euro që i kanë shkuar direkt Egnatias për pjesëmarrjen në Champions, ndërsa mbi 1,7 milionë euro janë ndarë për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës mes rrogozhinasve, Vllaznisë, Partizanit dhe Tiranës.

Ndërkohë, është përfituar një shifër rekord prej 2,14 milionë eurosh që FSHF duhej t’ua shpërndante klubeve, po nëpërmjet skemës së pagesave të solidaritetit, teksa 101 mijë euro janë siguruar edhe nga futbolli i femrave. Këto shifra padyshim kanë bërë të lumtura klubet e që tregojnë se ato vazhdojnë të furnizohen sistematikisht me të ardhura jetësore nga UEFA, pa kontributin e të cilës, futbolli ne vendin tonë do të kishte telashe shumë më të mëdha financiare.

Por kjo gjithashtu tregon se shumë klube aktualisht po përfitojnë të ardhura shumë të rëndësishme edhe pa arritje të mëdha sportive, duke përllogaritur kuotat që përfitojnë në mënyrë indirekte nga solidariteti i UEFA-s apo edhe vetë FSHF. Kjo e fundit, duke pasur një fluks të lartë të ardhurash nga UEFA, vendosi t’u dhuronte klubeve të Superiores dhe atyre të Kategorisë së Parë edhe 3 milionë euro të tjera gjatë vitit kalendarik 2026.

WhatsApp Image 2026-02-12 at 15.11.15

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL