Dinamo pret marsin, Silvinjo vihet pas bluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 21:23

Dinamo pret marsin, Silvinjo vihet pas bluve

Dinamo së bashku me Egnatian, janë dy skuadrat e vetme që kanë lojtarë në Kombëtare nga Superiorja. Naser Aliji ka shumë kohë që është pjesë e Shqipërisë e madje shpesh herë ka marrë minuta dhe ka luajtur si titullar në ndeshje të rëndësishme të kuqezinjve. Dhe mesa duket mbrojtësi do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqezinjve edhe për ndeshjet e marsit, kundër Polonisë fillimisht e në rast të një rezultati pozitiv, kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi.

Dinamo

Stafi teknik i Kombëtares ka zgjedhur dy ndeshje të Dinamos për të studiuar nga kampionati shqiptar dhe njëra ka qenë pikërisht kundër Egnatias, aty ku aktivizohet Mario Dajsinani dhe tjetra ka qenë kundër Vllaznisë pak javë më parë. Por, kundër Vllaznisë nuk ka pasur minuta për Alijin i cili ka qenë i dëmtuar dhe një vizitë e stafit teknik në tribunë, lë të kuptohet se mund të ketë edhe të tjerë futbollistë në planet e stafit teknik megjithëse duket e vështirë që në këto ndeshje të ketë risi të mëdha, sidomos nga kampionati shqiptar.

Disa muaj më parë, në listën e pritjes ka qenë Klevi Qefalija, mesfushori i Dinamos por një dëmtim në ndeshjen e fundit para grumbullimit të Kombëtares, bëri që grumbullimi për mesfushorin e talentuar të mbetej vetëm një ëndërr. Deri në mars, ka edhe disa javë nga kampionati shqiptar dhe pritet që stafi të ndjekë edhe të tjera ndeshje për të spikatur ndonjë lojtar që mund të shërbejë edhe në Ligën e Kombeve.

“Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, kanë intensifikuar punën në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë. Gjatë javëve të fundit, stafi teknik kuqezi ka ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në elitën e futbollit vendas.

Mes takimeve të ndjekura kanë qenë Dinamo City – Vllaznia dhe Egnatia – Dinamo City. Paralelisht me ndjekjen e kampionatit vendas, Silvinjo dhe stafi teknik kanë qenë të pranishëm edhe në disa takime në arenën europiane”, shkruhej në njoftimin e Federatës.

PANORAMASPORT.AL