Dinamo për rikthimin, ndaj Elbasanit shqetësojnë mungesat
Dinamo prej ditësh po vijon me përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit. Pak ditë më parë, u mendua se pushimi i Kombëtareve kishte ardhur në kohën e duhur për Dinamon, por në fakt duket se nuk ka ndodhur ashtu pasi në kampin kryeqytetas, ka pasur probleme të shumta.

Mungesat janë kthyer padyshim në shqetësimin më të madh të Dajës, para një ndeshjeje të vështirë si ajo ndaj Elbasanit. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ngarkesa nuk është dhënë e plotë për shkak se Dinamo e kishte të pamundur të gjente një kundërshtar për të zhvilluar miqësore në këtë periudhë. Kështu, Daja u detyrua që të luante një test brenda skuadrës, duke u përballur me Dinamon B. Skuadra e parë fitoi me rezultatin 4-2, por vështirë se kjo sfidë mund t’i ketë shërbyer trajnerit Daja për të parë skuadrën apo edhe për të dhënë ngarkesë maksimale në drejtim të skuadrës.
MUNGESAT- Daja ka pasur një skuadër të cunguar këto ditë duke mos mundur të stërvisë skuadrën në 100% e saj. Naser Aliji dhe Hekuran Berisha ishin me Shqipërinë e Kosovën U21, ndërkohë që me Shqipërinë U19 ishte edhe Bjorni Duka. Nga ana tjetër, Guindo ka munguar për shkak dëmtimi ndërkohë që mungesë disa ditore ka bërë edhe Nani i cili ka kaluar një gjendje gripale. Nani është bashkuar me ekipin por Guindo duket se ka probleme dhe ende nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm por vështirë që të rikthehet për ndeshjen me Elbasanin.
MIQËSORJA- Daja ka kërkuar nga drejtuesit që të organizojnë një ndeshje miqësore dhe dëshira ishte për të luajtur me një ekip nga Kategoria e Parë. Por, kjo dëshirë nuk është realizuar dhe jo për faj të klubit por për shkak të Kupës së Shqipërisë. Skuadrat e Kategorisë së Parë do të luajnë ndeshjet e Kupës së mesjavë dhe asnjë skuadër nuk ka dashur që të rrezikojë ndonjë dëmtim para ndeshjes së Kupës. Ndërkohë, gjatë këtij pushimi, skuadra luajti me Dinamon B duke fituar me rezultatin 4-2. Pavarësisht se skuadra arriti të shënonte 4 gola, shqetëson reparti i mbrojtjes që pëson dy gola ndaj skuadrës B që luan këtë sezon në Kategorinë e Tretë.
NDESHJA E RADHËS- Dinamo do të përballet me Elbasanin ditën e shtunë, në kuadër të javës së 12 të Superiores. Skuadra kryeqytetase vjen në këtë sfidë pas një momenti jo të mirë, duke qenë se në dy ndeshjet e fundit, ka 1 barazim dhe 1 humbje. Përtej reuzltatit, në Shkodër ka bindur loja e tyre dhe kjo mund të qetësojë stafin e Dinamos duke parë se javë pas jave, ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. Sfida e parë me Elbasanin, u mbyll me rezultatin 1-0 për verdheblutë ndërsa në këtë sfidë kërkohet revanshi për të mbetur afër me skuadrat e tjera të Final 4, të cilat po marrin pikët e tyre, sidomos Vllaznia e parë.
STADIUMI- Tashmë është konfirmuar si nga FSHF-ja, ashtu edhe nga Dinamo që ndeshja me Elbasanin do të luhet në stadiumin “Air Albania”. Fillimisht ishte menduar “Selman Stërmasi”, por fusha nuk është ende gati dhe në këtë mënyrë, është vendosur që takimi të luhet në Arenën Kombëtare, duke i dhënë kështu mundësi të dyja skuadrave që të tregojnë më të mirën e tyre pasi edhe fusha është në gjendje perfekte.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













