Dinamo për revansh, humbja dhe tensioni në Shkodër janë ende të freskëta. Trajneri Daja do shkëputjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2026 | 10:27

Dinamo për revansh, humbja dhe tensioni në Shkodër janë ende të freskëta. Trajneri Daja do shkëputjen

Dinamo do të rikthehet sot në “Air Albania” aty ku do të presë Vllazninë në kuadër të javës së 20-të të Superiores.

DINAMO

Dy skuadrat kanë objektiva të njëjta këtë sezon dhe duket se ecin të sigurta drejt “Final 4”, megjithëse ka edhe shumë ndeshje deri në fund të sezonit. Si Dinamo, ashtu edhe Vllaznia janë dy ekipe të cilat kanë shfaqur oshilacione të shumta këtë sezon. Ndërkohë, të dyja skuadrat ndajnë vendin e tretë e të katërt me nga 33 pikë, teksa hapat e gabuar nuk mund të lejohen më për asnjërën skuadër. Një fitore, do ta afronte cilëndo skuadër më shumë me kreun e klasifikimit, ndërkohë që te blutë synojnë hakmarrje për atë humbje të shkaktuar pak javë më parë në Shkodër, ndeshje e cila u shoqërua me shumë polemika.

POLEMIKAT- Vllaznia arriti të fitonte në Shkodër me rezultatin 1-0 kundër Dinamos, ku vendimtar ishte një gol i dyshimtë i shënuar nga kuqeblutë. Sikur të mos mjaftonte kjo, pak minuta më vonë shënoi Bernard Berisha golin e barazimit, por gjyqtari vendosi ta anulonte për pozicion të parregullt, vendim ky që shkaktoi shumë pakënaqësi në kampin e Dinamos. Ndërkohë, edhe fundi i nddshjes u shoqërua me tension kur trajneri Edi Martini me gjeste të pahijshme, po festonte fitoren e skuadrës së tij duke provokuar njëkohësisht klubin dhe tifozerinë e Dinamos, pavarësisht se munguan reagimet. Sakaq, me kartonë të kuq u ndëshkuan atë ndeshje drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani dhe zv.trajneri i Dinamos, Glen Daja.

PËRBALLJET DIREKTE- Këtë sezon, dy skuadrat kanë arritur të marrin nga një fitore në përballjet direkte, me Dinamon që është më e avantazhuar. Blutë kanë fituar në “Elbasan Arena” që në debutim duke e mundur me rezultatin 3-1. Në ndeshjen e dytë, Vllaznia arriti të fitonte në Shkodër duke marrë hak në një farë mënyre, megjithatë golaverazhi është më i mirë nga skuadra e Dinamos.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo nuk është në momentin e saj më të mirë për sa i përket gjendjes së skuadrës. Aliji ende nuk është gati për t’u rikthyer në fushë, ndërkohë që jashtë mbetet sërish Beqja i cili do edhe pak kohë që të jetë në 100% e tij. Ndërkohë, një tjetër mungesë e shtuar në radhët e Dinamos është ajo e Qefalisë i cili me shumë gjasa do të jetë jashtë për këtë sfidë për shkak të një problemi muskulor megjithëse stafi do të vendosin për të vetëm pak para ndeshjes. Fatmirësisht për trajnerin Daja, nuk ka asnjë lojtar të pezulluar me kartonë, ku veç këtyre dëmtimeve është padyshim edhe ajo e Maliqit që ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi të pësuar ndaj Besës.

KLASIFIKIMI- Ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë ka një rëndësi të veçantë edhe për klasifikimin duke qenë se Elbasani dhe Egnatia ndanë nga një pikë mbrëmë në Rrogozhinë, duke lënë gjithçcka të hapur. Aktualisht, Egnatia kryeson me 38 pikë, e ndjekur nga Elbasani me 35 pikë por me një ndeshje më shumë se Dinamo e Vllaznia që kanë nga 33 pikë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL