Dinamo kërkon finalen e Kupës, Europa kalon nga Shkodra
Dinamo nuk ka pasur kohë për të analizuar gjatë barazimin me Tiranën në kampionat dhe menjëherë ka nisur nga puna për transfertën në Shkodër, aty ku Dinamo do të kërkojë finalen e Kupës.

Blutë nuk kanë pasur shumë fat këtë sezon kundër Vllaznisë, edhe pse sezonin e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore të madhe me rezultatin 3-1 që në debutim në “Elbasan Arena”. Gjërat ndryshuan me kalimin e kohës megjithatë, në Kupë, blutë kanë qenë me një tjetër fytyrë në krahasim me ecurinë e kampionatit, duke treguar se janë një nga skuadrat favorite për të fituar.
ECURIA NË KUPË– Dinamo e cila mban petkun e kampiones në fuqi, e nisi rrugëtimin me një ndeshje ndaj Besës së Kavajës, e luajtur në “Air Albania”. Dinamo shkonte në atë takim si favorite absolute dhe nga një moment i jashtëzakonshëm duke qenë se ndeshjen e fundit të vitit, fitonte Superkupën e Shqipërisë ndaj Egnatias. Ajo formë e fundvitit, u shfaq edhe në ndeshjen e parë për këtë vit kalendarik, ku Dinamo kaloi në turin tjetër pa shumë vështirësi duke mundur Besën me rezultatin e pastër 3-0. Ndërkohë, shorti rezervoi një përballje interesante për skuadrën e Dajës në çerekfinale duke qenë se blutë u desh të përballeshin me Tiranën, skuadër të cilën deri atë moment Dinamo e kishte mundur dy herë në kampionat. Në fakt, ashtu bëri edhe në Kupë duke fituar 0-2 në ndeshjen e parë dhe me të njëjtin rezultat, arriti të fitonte edhe ndeshjen e kthimit në “Air Albania”, për të kaluar në gjysmëfinale ku përballë do të kishte Vllazninë. Ndaj shkodranëve, Dinamo luajti mirë dhe bindi megjithatë, shkodranët kaluan në avantazh të parët dhe u desh vetëm një peanllti në sekondat e fundit për të bërë që skuadra e Dajës të kalonte më tej. Në përballjen e radhës që do të luhet të enjtën në Shkodër, Dinamo nuk ka rezultat tjetër që e ndihmon përpos fitores, ashtu si edhe vetë Vllaznia. Të dyja skuadrat, natyrisht do të tentojnë që gjithçka ta mbyllin brenda 90 minutave të rregullta pa nevojë që të shkojnë në kohën shtesë duke qenë se i pret një luftë e gjatë në këtë fund të kampionatit dhe është e rëndësishme që dy skuadrat të kenë gjendje të mirë fizike për të përballur sfidat e fundit.
PËRBALLJET DIREKTE- Këtë sezon, Dinamo dhe Vllaznia janë përballut plot 5 herë mes tyre dhe të enjten do të kenë përballjen e gjashtë. Nëse Dinamo shkon në “Final 4”, atëherë mes tyre do të luhet edhe një ndeshje e shtatë dhe do të ishte një nga ndeshjet më të përsëritura të këtij sezoni, së bashku me atë mes Egnatias dhe Elbasanit. Sfidën e parë, Dinamo e ka fituar me rezultatin 3-1, ndërkohë që Vllaznia arriti të fitonte ndeshjen e dytë në Shkodër me rezultatin 1-0, ku polemikat ishin të shumta si para, ashtu edhe pas ndeshjes. Në fazën e tretë, Vllaznia mori fitoren e dytë radhazi dhe e bëri duke mundur me rezultatin 0-2 blutë në “Air Albania”. në fazën e katërt, dy skuadrat barazuan pa gola në Shkodër, ku vetëm fati nuk e lejoi skuadrën e Dajës që të dilte me pikë të plota pasi bëri një paraqitje shumë të mirë. Barazimi në Kupë ishte përballja e fundit deri më tani mes dy skuadrave duke mbyllur një bilanc me 1 fitore për Dinamon, 2 për Vllazninë dhe 2 barazime të tjera.
EUROPA- Kupa e Shqipërisë është një nga rrugët më të shpejta për Dinamon për të siguruar pjesëmarrjen në Europë, pa pasur nevojë që të luftojë deri në fund për një vend në “Final 4”. Siç dihet, nga kampionati shqiptar janë 4 skuadra që kalojnë në Europë dhe për momentin, të gjitha skuadrat që janë në zonën “Final 4”, janë edhe në katërshen e Kupës dhe mes tyre, vetëm dy do të kalojnë më tej. Fituesi i Kupës, shkon në Europë dhe nëse fituesi ka siguruar Europën nga kampionati, atëherë do të shkonte Dinamo e cila për momentin e ka të vetin vendin e katërt në kampionat.
KAMPIONATI- Aktualisht, Dinamo ndan vendin e katërt me Partizanin por përballjet direkte e mbajnë skuadrën e Dajës në vendin e katërt dhe janë në barazim pikësh. Por gjithçka do të jetë e hapur deri në fund duke qenë se kanë mbetur edhe 4 javë kampionat dhe në këto 4 javë, kalendari do të jetë i vështirë për të dyja skuadrat. Veç përballjeve me rivalët direktë, në fund do të luhet ndeshja mes Partizanit dhe Dinamos e cila mund të vendosë gjithçka për fatet e sezonit.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













