Diktati i Gasperinit, cilat janë kushtet për të qëndruar te Roma
Zona Champions League tani është pesë pikë larg, por matematika ende nuk e përjashton Romën nga gara. Pikërisht për këtë arsye, tensionet mes Xhian Piero Gasperinit dhe Klaudio Ranierit mbeten për momentin në sfond, me pronarët “Friedkin” që ende nuk kanë marrë një qëndrim zyrtar.

Një bashkëjetesë e ardhshme mes tyre (duke përfshirë edhe drejtorin sportiv Masara, më afër rolit të këshilltarit të lartë) nuk duket e mundur. Ndërkohë, trajneri i Romës, sipas “Il Messaggero”, ka bërë lëvizjen e tij në këtë duel “shahu” duke vendosur disa kushte për pronarët, pa të cilat nuk është i gatshëm të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.
Çfarë kërkon Gasperini?
Sipas raportimit, Gasperini ka paraqitur tre kushte kryesore. Pushtet i plotë dhe ndryshime në strukturën sportive. Kushti i parë është ai më i ndjeshmi. Gasperini kërkon një ndarje të qartë me figurën e Ranierit në aspektin operacional. Ai nuk kërkon domosdoshmërisht largimin e tij total nga klubi, por nuk dëshiron më asnjë raport pune apo ndikim të drejtpërdrejtë të tij në menaxhimin sportiv. Në të njëjtën kohë, ai kërkon një drejtor të ri sportiv me të cilin të punojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pavarur.
Roli i plotë në merkato
Kushti i dytë lidhet me fuqinë vendimmarrëse në merkato. Gasperini dëshiron një rol të ngjashëm me atë të një “manageri anglez”, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e lojtarëve. Ai është i vetëdijshëm për kufizimet e “Fair Play Financiar”, por kërkon që çdo blerje të jetë e menduar dhe e ndërtuar sipas filozofisë së tij taktike, pa ndërhyrje të jashtme që ndryshojnë projektin sportiv.
Ndryshim i stafit mjekësor
Kushti i tretë lidhet me stafin mjekësor. Gasperini kërkon rinovim të plotë të këtij sektori, pasi e konsideron aktualin të lidhur me menaxhimin e mëparshëm teknik, atë të epokës Ranieri. Sipas tij, për të ndërtuar një projekt të fortë dhe afatgjatë, duhet edhe një strukturë mjekësore e re dhe më moderne.
Friedkin mes Gasperinit dhe Ranierit
Tani gjithçka varet nga pronarët Friedkin. Vendimi i tyre do të përcaktojë drejtimin e klubit. Roma nuk dëshiron një revolucion të ri të plotë teknik, ndërsa një riorganizim i pjesshëm i strukturës shihet si më i pranueshëm. Megjithatë, besimi te Klaudio Ranieri mbetet shumë i lartë, si në nivel drejtues ashtu edhe në marrëdhënie me ambientin dhe tifozët. Nëse Roma arrin kualifikimin në Champions League, Gasperini do të ketë shumë më tepër forcë në negociata dhe mund të imponojë kushtet e tij. Në të kundërt, rreziku është real që klubi të përballet sërish me një riorganizim total dhe të nisë nga e para një projekt të ri sportiv.
PANORAMASPORT.AL













