Diferencë e madhe nga hera e fundit, Dinamo ka humbur shumë pikë
Dinamo e këtij sezoni ka pasur probleme të mëdha dhe oshilacionet e shumta që ka shfaqur në faza të ndryshme, ka bërë që tashmë të mos diskutohet më për titullin kampion, por për rrezikun e pjesëmarrjes në “Final 4”.
Duke bërë një krahasim të të gjitha fazave të këtij sezoni, Dinamo gjithmonë ka shkuar në rënie dhe pikët e grumbulluara në fazën e parë, nuk i mori në të dytën dhe aq më pak në të tretën që ishte edhe faza më e dobët e tyre. Së bashku me Vorën, Dinamo ishte skuadra që mori më shumë pikë, vetëm 7 të tilla në 9 ndeshje të zhvilluara. Këtë javë, Dinamo do të ketë një ndeshje shumë të vështirë dhe ndoshta është më e vështira e fazës, duke parë momentin që po kalon Vllaznia dhe faktin se do të luhet në Shkodër, ku pritet të jetë edhe një stadium i tejmbushur me tifozë, të cilët këtë sezon kanë qenë të shumtë në mbështetje të Vllaznisë.
Nëse bëjmë një krahasim të momentit të skuadrave para ndeshjeve respektive, për Dinamon ky është momenti më i keq dhe nga ana tjetër, për Vllazninë është momenti më i mirë dhe këtë e tregojnë edhe statistikat dhe pikët e grumbulluara. Shkodranët kryesojnë kampionatin me 52 pikë dhe aktualisht e shohin veten me 13 pikë më shumë se Dinamo që ndodhet në vendin e pestë por në barazim me Elbasanin e vendit të dytë me një golaverazh më të dobët se Vllaznia.
Por, si ka ndryshuar situata e dy skuadrave? Në ndeshjen e fundit mes tyre, Vllaznia fitoi por vinte nga një moment negativ në kampionat dhe ndeshjet para fitores me Dinamon, nuk ishin më të mirat e mundshme megjithëse u duk sikur po e merrte veten. Ndeshja e fundit u luajt në javën e 20-të të Kampionatit, ku Vllaznia kishte 36 pikë dhe renditej në vendin e dytë me 2 pikë më pak se Egnatia dhe 3 më shumë se Dinamo të cilën e kaloi në klasifikim për shkak të ndeshjes direkte. Sot, ku janë luajtur edhe 8 ndeshje të tjera, Vllaznia ka marrë 14 pikë kundrejt 6 të Dinamos dhe diferenca mes tyre është 13 pikë.
PANORAMASPORT.AL













