Dështim epik i strategjisë së FSHF për Superioren, risia për zhvillimin e klubeve solli rënie nga kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2026 | 18:55

Dështim epik i strategjisë së FSHF për Superioren, risia për zhvillimin e klubeve solli rënie nga kategoria

Sezoni i rregullt në Kategorinë Superiore është mbyllur me sigurinë e rënies në Kategorinë e Parë të skuadrave të Bylisit dhe Flamurtarit. Dhe kështu, ka certifikuar dështimin e plotë të strategjisë që zgjodhën “mendjet” e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të bërë më cilësore elitën e futbollit shqiptar.

komiteti_ekzekutiv_fshf_mbledhje_mars_2025-2048x1365

Bëhet fjalë për aktivizimin pa limit të futbollistëve të huaj në radhët e ekipeve, duke u dhënë mundësinë atyre që të merrnin lojtarë nga çdo cep i globit në dëm të futbollistëve shqiptarë. Një strategji me të cilën abuzuan disa klube shqiptare edhe në nivel akademish, por të cilën e vuajtën në kurriz sidomos ata që e përdorën pa asnjë kriter, më saktësisht Flamurtari dhe Bylisi.

Që në startin e sezonit, dy klubet në fjalë ranë në sy si ata që afruan dhe përdorën numrin më të madh të të huajve në ndeshjet e tyre, duke pasur momente ku secila skuadër kishte 8 apo 9 të huaj në fushë, ndërsa kishte pankinën të mbushur po me futbollistë që nuk vinin nga futbolli shqiptar.

Një “strategji për zhvillimin” që rezultoi në dështim, pasi të dy këto klube ishin ata që ranë nga kategoria. Ndërsa shpëtoi Tirana, klubi tjetër i cili i besoi verbërisht strategjisë së furnizimit me futbollistë kryesisht të huaj, duke mbijetuar vetëm në javën e fundit. Një kambanë e qartë alarmi për futbollin shqiptar se jo çdo “strategji” apo “risi” që propozohet, është ajo e duhura për të bërë përpara.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL