Dëshirë e vjetër e Partizanit, 8 vite më parë Milinkoviç ia mori në kthesë… Iuliano
Mladen Milinkoviç ishte pranë kalimit te Partizani 8 vite më parë. Në fundin e qershorit të vitit 2017, u raportua që palët kishin arritur akordin dhe mungonte vetëm zyrtarizimi.

Trajneri serbo-boshnjak shikohej si pasues i Sulejman Starovës në stol, fill pas ndeshjeve në Europë. Konkretizimi i kësaj lëvizje nuk erdhi, pasi të kuqtë prezantuan Mark Iulianon. Milinkoviç ndërkohë firmosi me Kukësin, që ishte kampion në fuqi. Interesant është fakti që në sezonin 2016/17, Luftëtari i Milinkoviç ishte i vetmi që i shkaktoi humbje në kampionat verilindorëve. Duhet thënë se sezoni tjetër ishte për t’u harruar, si për Partizanin me Iulianon dhe për trajnerin serb te Kukësi.
DEKLARATA- Trajneri 57- vjeçar deklaronte për “Panorama Sport” në qershorin e vitit 2017: “Është e vërtetë që ka interesim për mua nga klubi i Partizanit, por nuk jam unë personi që vendos në këtë rast. Interesimin ia kam përcjellë agjentit tim, i cili është personi që po merret me bisedimet konkrete. Unë jam nën kontratë me Luftëtarin deri në fund të qershorit, ndaj është agjencia menaxheriale ajo që vendos për mua. Agjenti im po merret konkretisht me bisedime me dy klube shqiptare.
Sot(17 qershor 2017) nuk kam kontaktuar me agjentin tim, i cili ka qenë në Austri dhe është rrugës për t’u kthyer në Athinë. Interesimi i Partizanit për mua qëndron, por më shumë nuk di të them. Partizani ka një ekip të mirë dhe këtë gjë e ka treguar edhe në sezonin e fundit ku unë isha prezent në futbollin shqiptar. Sigurisht, nëse palët do të gjenin akordin dhe do të plotësoheshin kërkesat, unë nuk do t’i thoja ‘jo’ drejtimit të Partizanit. Gjithsesi, nuk ia vlen të flasim më gjatë për këtë çështje, pasi me atë po merret agjenti im”.
PANORAMASPORT.AL













