Derbi i kryeqytetit/ Dinamo e ka “hajmali”, Daja di si mundet Bordini

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2025 | 8:32

Derbi i kryeqytetit/ Dinamo e ka “hajmali”, Daja di si mundet Bordini

Dinamo do të përballet të shtunën me Tiranën në derbin e kryeqytetit, aty ku pas barazimit ndaj Bylisit si edhe dy humbjeve radhazi në kampionat, fitorja në derbi është kthyer në detyrim për skuadrën blu.

dinamo

Vetë Daja ka një detaj të veçantë nga trajneri Bordin, pasi sezonin e shkuar ishte pikërisht ndeshja e Dinamos ndaj Elbasanit, ajo në të cilën u bë ndërrimi i trajnerit. Pavarësisht se kryeqytetasit fitonin 2-1, që asokohe drejtoheshin nga Dritan Mehmeti, në ditët në vijim u bë edhe ndryshimi i trajnerit, ku Mehmeti u largua nga drejtimi i skuadrës dhe vendin e tij e zuri pikërisht Ilir Daja, i cili këtë fundjavë do të tentojë të tregojë sërish se mund t’ia dalë kundër teknikut italian, ashtu siç bëri sezonin e fundit.

PËRBALLJET DIREKTE Daja dhe Bordin përballen për herë të dytë mes tyre, pasi hera e parë dhe e fundit, ishte pikërisht sezonin e shkuar në fazën e dytë, aty ku “nëndetësja”, shkëlqeu duke bërë ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit. Dinamo arriti të fitonte kundër Elbasanit me rezultatin e thellë 0-5, e cila njëkohësisht ishte edhe fitorja më e thellë për sezonin që lamë pas. Si për ironi të fatit, ndeshja e fundit për Dinamon para përballjes me Bordin, ishte pikërisht ndaj Bylisit aty ku ndeshja u mbyll në barazim 1-1, teksa këtë herë të dyja skuadrat ndanë sërish nga 1 pikë, por në barazim 0-0.

ECURIA E DAJËS Dinamo e Ilir Dajës ka marrë këtë sezon vetëm 4 pikë në 4 ndeshjet e para, pavarësisht se pritshmëritë në kampin kryeqytetas ishin më të larta. Fitorja në ndeshjen e javës së parë, dha idenë se Dinamo do të ishte në një tjetër nivel, megjithatë gjithçka u venit në javët në vazhdim kur skuadra u mund nga Elbasani dhe Teuta e barazoi me Bylisin. Sezonin e kaluar, Dinamo bënte më mirë nën drejtimin e Ilir Dajës duke qenë se në 4 javët e para nën drejtimin e tij, merrte 2 barazime dhe 2 fitore duke grumbulluar 8 pikë, ndërkohë që këtë sezon numëron vetëm 4 pikë, gjysma e atyre të sezonit të shkuar.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL