De Bryjne tregon prapaskenat: Punojmë për gjëra të mëdha, ja dallimet mes Guardiolës dhe Kontes
Që në hapat e parë në tokën napolitane, Kevin de Bryjne ka ndezur entuziazmin e tifozëve të Napolit. Mesfushori belg, i transferuar së fundmi nga Mançester Siti, ka debutuar me fanellën blu në një ndeshje miqësore ndaj Arezos, ku luajti për 45 minuta.

Pavarësisht humbjes 2-0, emocionet dhe entuziazmi i tifozëve nuk munguan dhe as vullneti i kampionit për t’u përshtatur sa më shpejt me realitetin e ri.
“Ndihem mirë, edhe pse jam këtu vetëm prej dhjetë ditësh. Po punojmë shumë. Niveli është i lartë, por dua të njoh më mirë ekipin, shokët e skuadrës dhe trajnerin. Kjo do të vijë me kohën”, tha De Bryjne për “Sky Sport”, nga kampi stërvitor në Dimaro.
Belgu, i cili për gati një dekadë ishte nën drejtimin e Pep Guardiolës, është i vetëdijshëm për sfidën që e pret, por gjithashtu e pranon me qetësi presionin.
“Presioni nuk është i lehtë, por duhet pranuar. Të kesh tifozë si ata të Napolit, të shtyn të japësh më shumë. Në këtë nivel, çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të përgatitet për të dhënë maksimumin muajin e ardhshëm. Kjo është ajo që po bëjmë, po punojmë shumë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Në krahasim me eksperiencën te Siti, De Bryjne foli edhe për ndryshimet mes dy trajnerëve të mëdhenj Pep Guardiola dhe Antonio Konte.
“Guardiola ka një stil më ofensiv, ndërsa Konte është pak më mbrojtës. Por është ende herët për të dhënë një gjykim të saktë, pasi po punojmë së bashku vetëm prej dhjetë ditësh. Me Pep kam punuar për nëntë vite, e njoh shumë mirë stilin e tij. Këtu taktikat janë pak më ndryshe, por kjo është krejtësisht normale. Kam kohë të mjaftueshme për të njohur trajnerin dhe qasjen e tij”, shpjegoi belgu.
PANORAMASPORT.AL













