Daja rikthen Bregun, ndryshon edhe mesfushën. Ja plani anti-Partizani
Dy fitoret e fundit që Dinamo ka marrë në Kupë dhe kampionat, kanë rikthyer besimin te skuadra dhe derbi ndaj Partizanit, mund të konfirmojë se momenti i keq që blutë kishin, ka kaluar.
Prej ditësh, skuadra ka nisur përgatitjet për këtë derbi, me Dinamon që ka dy mungesa dhe pritet që trajneri Daja të bëjë ndërrime në formacion. Dejvi Bregu ishte jashtë sfidën e fundit me Tiranën dhe pritet të gradohet titullar në këtë takim, ashtu siç pritet edhe Ismaili të zërë vend në mesfushë. Sërish, Dinamo do të rreshtohet me 3 mbrojtës, ku Dita, Teikseira dhe Aliji do të ndihmojnë portierin Teqja.
Në mesfushën me katër, Ismaili nga e djathta dhe Neziri në të majtë do të plotësojnë krahët, ku në qendër të mesfushës pritet të jenë Qefalija dhe Gudiabi. Sa i përket sulmit, Bregu nga e djathta dhe Berisha nga e majta, do të jenë në ndihmë të sulmuesit Guindo. 29-vjeçari arriti të realizonte pak ditë më parë ndaj Tiranës në derbi për të thyer krizën e golit që kishte prej më shumë se 2 muajsh.
PANORAMASPORT.AL













