Daja kundër Martinit, përballje me ekuilibër dhe diferencë në trofe. Dy strategët kanë arritur të fitojnë gjithçka në Superiore
Dinamo do të përballet nesër me Vllazninë në kuadër të javës së 29-të të Superiores, aty ku do të synojë rikthimin te rezultatet pozitive.
Dy skuadrat kanë dhuruar këtë sezon ndeshje interesante mes tyre dhe rezultatet kanë qenë jo pak herë surprizuese, ndërkohë që kanë qenë të shumta edhe polemikat që janë ngjallur nga ndeshja mes dy skuadrave. “Panorama Sport” ka bërë një krahasim mes dy trajnerëve, si Dajës ashtu edhe Martinit dhe sukseseve që kanë arritur.
DAJA KUNDËR VLLAZNISË Përballjet e Ilir Dajës ndaj Vllaznisë, kanë prodhuar ndër vite një rivalitet të fortë dhe shpesh të paparashikueshëm. Statistikat flasin për një bilanc pothuajse të ekuilibruar, ku në 31 ndeshje ndaj kuqebluve, Daja ka regjistruar 11 fitore, 8 barazime dhe 12 humbje, me një mesatare prej 1.32 pikësh për takim. Këto shifra tregojnë qartë se Vllaznia ka qenë një nga kundërshtarët më të komplikuar për skuadrat e drejtuara prej tij. Skuadra shkodrane ka ditur të shfrytëzojë momentet dhe rastet që ka pasur, duke bërë që diferenca mes fitoreve dhe humbjeve të mbetet minimale. Kjo e bën këtë duel një nga më interesantët në panoramën e futbollit shqiptar, sidomos me polemikat e shkaktuara së fundmi.
MARTINI KUNDËR DINAMOS Në anën tjetër, Martini ka një statistikë thuajse të barabartë në sfidat kundër Dinamos. Trajneri shkodran është përballur në karrierën e tij 14 herë me Dinamon, aty ku ka arritur të fitojë 6 ndeshje, teksa ka humbur 5 të tjera. 3 sfida mes Martinit dhe Dinamos, janë mbyllur në barazim, ndërkohë që mesatarja e pikëve është 1.50, ose e thënë ndryshe ka arritur të marrë gjysmën e pikëve. Martini nuk është një trajner që dominon plotësisht rivalin në këto duele, por di të minimizojë rrezikun dhe të marrë rezultate që mbajnë ekipin në garë. Kjo qasje pragmatike e bën atë një kundërshtar të vështirë për çdo ekip, përfshirë edhe Dinamon.
DAJA KUNDËR MARTINIT Kur vëmendja zhvendoset te përballjet direkte mes Ilir Dajës dhe Edi Martinit, tabloja ndryshon lehtë në favor të Dajës. Në 13 ndeshje mes tyre, ai ka arritur të sigurojë 5 fitore kundrejt 4 të Martinit, ndërsa 4 takime janë mbyllur në barazim. Mesatarja prej 1.46 pikësh për ndeshje konfirmon një avantazh të lehtë, por të qëndrueshëm. Ky raport nuk është thjesht statistikor, por lidhet ngushtë me profilin e dy trajnerëve. Daja shquhet për eksperiencën dhe mbrojtjen solide që shpesh herë ka qenë e pakalueshme e madje, duke ditur të përshtatet sipas kundërshtarit, ndërsa Martini shpesh mbështetet te qarkullimi i topit dhe loja e shpejtë. Pikërisht në këto përballje direkte, eksperienca ka bërë diferencën në momentet vendimtare, duke i dhënë Dajës një epërsi të vogël.
DAJA NË KRYE TË DINAMOS Që nga momenti kur mori drejtimin e Dinamos, Ilir Daja ka punuar për të ndërtuar një identitet të qartë loje dhe një skuadër konkurruese. Në 79 ndeshje në pankinë, me një mesatare prej 1.57 pikësh për ndeshje, ai ka arritur të krijojë stabilitet dhe të rikthejë besimin te një klub me histori të rëndësishme. Sezonin e shkuar arriti të rikthente Kupën e Shqipërisë te kryeqytetasit e më pas fitoi edhe Superkupën e Shqipërisë. Ndikimi i tij nuk matet vetëm me rezultate, por edhe me mënyrën se si Dinamo paraqitet në fushë. Duke hequr fazën e tretë të këtij sezoni që ishte një zhgënjim i madh, Dinamo e Dajës ka pasur një identitet të qartë në lojën e saj e madje ka arritur të bindë e dominojë, edhe atëherë kur rezultatet kanë folur kundër Dinamos. Kjo ka bërë që Dinamo të jetë një kundërshtar serioz për çdo ekip dhe të synojë vazhdimisht objektiva të larta në kampionat.
MARTINI NË KRYE TË VLLAZNISË Forma e Vllazniës nën drejtimin e Edi Martini në sezonin aktual është një tregues i qartë i progresit të tij si trajner. Në 27 ndeshje në Superiore, skuadra ka grumbulluar 49 pikë, me një mesatare prej 1.81 pikësh për ndeshje, duke u shfaqur si një nga ekipet më konkurruese për titullin kampion. Vllaznia e Martinit karakterizohet nga një lojë me qarkullim e shumë pasime si edhe me një mbrojtje solide. Ai ka arritur të ndërtojë një grup që funksionon mirë, duke nxjerrë maksimumin nga lojtarët në dispozicion. Këto elemente e kanë kthyer skuadrën në një pretendente serioze dhe kanë rritur ndjeshëm besimin rreth ëndrrës për titullin kampion.
TROFETË E DAJËS Karriera e Ilir Daja është e lidhur ngushtë me suksesin dhe trofetë, duke e bërë atë një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin shqiptar dhe rajonal. Arritjet e tij në Shqipëri dhe Kosovë dëshmojnë për një trajner që di të fitojë dhe dhe të udhëheqë skuadrat drejt objektivave madhorë. Ajo që e veçon Dajën është vazhdimësia në rezultate dhe aftësia për të ndërtuar ekipe fituese, teksa ka dëshmuar se nuk është trajner që fiton dhe përfundon ciklin, por di të ruajë vazhdimësinë. Në total, Daja ka arritur të fitojë 12 trofe, nga të cilët janë 6 tituj kampion, 3 në Shqipëri e 3 në Kosovë, si edhe 2 herë Kupën, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Daja ka arritur të fitojë një Superkupë Shqipërie, si edhe 1 Superkupë Kosove me skuadrën e Ballkanit, ku edhe ka shkëlqyer.
TROFETË E MARTINIT Ndryshe nga rivali i tij, Edi Martini është ende në një fazë të konsolidimit të karrierës, me një numër më të kufizuar trofesh. Megjithatë, kjo nuk e zbeh ndikimin e tij në skuadrat që ka drejtuar, pasi ai ka treguar se është në gjendje të rivalizojë edhe me skuadra që kanë një buxhet më të madh apo edhe objektiva më të larta. Në total, Martini ka fituar 3 trofe, nga të cilët një titull kampion, një Kupë Shqipërie dhe një Superkupë, të gjitha këto me Teutën. Në vitet e fundit, përballjet mes dy trajnerëve kanë sjellë rezultate të befasishme, teksa janë përballë dy trajnerë me ego për të fituar dhe nëse Daja e ka arritur disa herë, Martini është në rrugën e duhur për ta bërë. Nga njëra anë qëndron përvoja dhe suksesi i konsoliduar, ndërsa nga ana tjetër energjia dhe ambicia e një trajneri në ngritje. Pikërisht kjo e bën këtë rivalitet një nga më interesantët për t’u ndjekur në futbollin shqiptar. Sfida mes Vllaznisë dhe Dinamos do të zhvillohet ditën e nesërme në stadiumin “Loro Borici”, duke nisur nga ora 18:00, dhe do të jetë sfida e fundit për këtë sezon të rregullt, teksa do të përballen edhe në Kupën e Shqipërisë si edhe në “Final 4”, nëse Dinamo arrin të kualifikohet.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













