Çudia me reagimin e presidentit të Vllaznisë, “zhduk” vitet e arta të shkodranëve në Champions: Për herë të parë në historinë 106-vjeçare…
“Të dashur tifozë të Vllaznisë dhe qytetarë të Shkodrës, sot jemi përballë një realitet të dhimbshëm: KF Vllaznia, për herë të parë në historinë e saj 106-vjeçare, nuk do ta zhvillojë në Shkodër ndeshjen ndërkombëtare për Kupat e Europës”.

Kjo është mënyra e pazakontë si nis postimi i presidenti të Vllaznisë, Alban Xhaferi, rreth vendimit të klubit kuqeblu për të luajtur ndeshjet në Ligën e Konferencës jo në “Loro Boriçi”, por në “Elbasan Arena”, si pasojë e zënkës me Bashkinë për koncertet në impiantin e qytetit të Shkodrës. Mënyrë e pazakontë, pasi është një deklaratë e pasaktë.
Kjo, pasi në historinë e saj 106-vjeçare, Vllaznia e ka provuar disa herë të luajë jashtë ndeshjet në kompeticionet ndërkombëtare. Në fakt, një nga periudhat më të suksesshme të kuqebluve me 2 tituj kampion në 4 vite dhe me 2 pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, janë zhvilluar larg Shkodrës.
Ndeshja ndaj Dinamo Tbilisit në vitin 1998 në Ligën e Kampioneve u zhvillua në Tiranë, ashtu si edhe sfida ndaj Spartak Trnavës në Kupën UEFA një vit më vonë. Prania në Kupën Intertoto ndaj Nea Salamis të Qipros, shtyu Vllazninë që të luante përsëri në Tiranë ndeshjen e saj.
Ndërkohë, sezoni i paharrueshëm i futbollit shkodran, me kalimin e një turi në Ligën e Kampioneve, u luajt gjithashtu larg “Loro Boriçit”. Në vitin 2001, shkodranët kaluan turin e parë në këtë turne përballë KR të Islandës dhe luajtën turin e dytë përballë Gallatasarajt, me të dy ndeshjet që u zhvilluan në “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Vetëm nga viti 2003 e në vijim, Vllaznia ka luajtur ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Europës në stadiumin “Loro Boiriçi” pa ndërprerje.

PANORAMASPORT.AL













