Çudia e ndeshjes Poloni-Shqipëri, play-off i Botërorit do të luhet me dy trajnerë… në ajër
Shqipëria përballet në play-off të Botërorit me Poloninë, në një ndeshje që zhvillohet në Varshavë e ku hidhet hapi i parë drejt ëndrrës për të marrë pjesë në fazën finale të turneut më të famshëm për ekipet kombëtare. Do të jetë një sfidë e veçantë edhe për të trajnerin Silvinjo në pankinën e kuqezinjve, po ashtu si edhe të Jan Urban në atë të vendasve.

Sfida është shumë e veçantë për faktin e thjeshtë se praktikisht do të përcaktojë vijimin e karrierës së dy trajnerëve në drejtimin e kombëtareve në fjalë edhe më gjatë, pasi të dy janë në situatë të ngjashme. Trajneri Silvinjo ka një kontratë e cila përfundon me mbylljen e eliminatoreve të Botërorit. Në kushtet aktuale, me përfundimin e play-off, por me rinovim automatik deri në korrik nëse ai siguron praninë në fazën finale të turneut për të drejtuar edhe atje ekipin.
Sipas mediave polake, e njëjta situatë është edhe për Jan Urban, i cili ka nënshkruar gjatë korrikut me Poloninë duke marrë drejtimin e saj në mes të sezonit pas ndryshimeve që u bënë në pankinë. Marrëveshja e tij gjithashtu ka të përcaktuara klauzola të sakta për fazën play-off dhe kualifikimin në Botëror.
Por si Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu edhe ajo e Polonisë, nuk parashikohet të marrin vendim për zgjatjen e mëtejshme të kontratës së dy trajnerëve përtej Botërorit pa përfunduar faza play-off. Kësisoj, Silvinjo dhe Urban mund të drejtojnë këto ndeshje në mars duke mos qenë në dijeni se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e tyre. Një situatë që do të qartësohet vetëm pas marsit, por që për momentin lë dy trajnerët në ajër për të ardhmen e tyre.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













