“Çmendet” Anglia, 712 milionë euro në merkaton e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 13:44

“Çmendet” Anglia, 712 milionë euro në merkaton e verës

Raheem SterlingPremier Liga do të rikonfirmohet mbretëresha e merkatos së kësaj vere në Europë. 500 milionë paund (712 milionë euro) kanë shpenzuar deri tani 20 klubet e elitës së futbollit anglez, një muaj përpara se të bjerë gongu për herë të fundit. Kompania financiare “Deloitte” e konfirmoi se shifra e 500 milionë paundëve është kaluar që të premten. Një shumë e tillë, që deri më 1 shtator rrezikon që të prekë edhe shifrën e miliardit, e ka thyer që tani rekordin që Premier Liga vendosi gjatë merkatos së një viti më parë, 335 milionë paund.

Trajneri i Mançester Junajtid, Luis Van Gal, ka nënkuptuar një goditje surprizë deri në fund të muajit, pavarësisht se ka shpenzuar deri në këto momente 83 milionë paund. Evertoni i ka refuzuar Çelsit 26 milionë paund për kartonin e Xhon Stons, ndërkohë që emri i Sitit është lidhur me kalimin e De Brujnes nga Volfsburgu.

Transferimi i Sterlingut te Siti për një shifër fillestare prej 44 milionë paundësh është lëvizja më e shtrenjtë deri në këto momente.

“Një rekord i ri pritet të vendoset nga klubet për shkak të të ardhurave të rritura të së drejtës televizive”, tha për “BBC”-në eksperti i financave të futbollit, Rob Uillson. Merkatoja në Angli këtë verë do të mbyllet më 1 shtator, ora 19:00 (me orën e Shqipërisë). Duke nisur nga sezoni 2016/2017 kontrata e të drejtës televizive të Premier Ligës për tri vitet e ardhshme do të shkojë nga 3 miliardë paund në 5.1 miliardë. Klubi i vendit të fundit të Premier Ligës do të arkëtojë 99 milionë paund çdo sezon, ndërkohë që shpërblimi i kampionëve do t’i kalojë 150 milionë paundët. Uillson shpjegon se barriera e 1 miliard eurove mund të mos kalohet këtë verë vetëm nga frenimet që vendos “fair play” financiar: “Junajtid ka shpenzuar 83 milionë paund për të afruar disa lojtarë, ndërkohë që vetëm sezonin e shkuar bleu Di Marian për rekordin e 59.7 milionë paundëve. Nëse marrin mbrapsht 45 milionë paund për shitjen e Di Marias te PSG, atëherë mund të mbyllin transferimin e Pedros. Dhe, në fund, bilanci i tyre i shpenzimeve do të konsiderohej modest. Po shohim që klubet tregohen të kujdesshme dhe ky është lajm i mirë për futbollin”.