Champions League, Vllaznia “boom” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 17:58

Champions League, Vllaznia “boom” në merkato

11807210_1685276455034257_8819374112841902673_oVllaznia e femrave, skuadra kampione në fuqi, tashmë është thuajse gati për pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Kampioneve. Prej afro një jave janë grumbulluar nga presidenti Lazër Matija në pikën turistike të Zogajve në qytetin e Shkodrës dhe do të qëndrojnë atje deri në datën 9 gusht.

Ekipi shkodran më 9 gusht do të lërë Zogajn dhe do niset drejt Bosnjë Hercegovinës, ku do të zhvillohen eliminatoret. Në këtë kompeticion të rëndësishëm, presidenti Matija ka bërë disa ndryshime duke forcuar ekipin e tij. Kështu ka ndërruar trajnerin. Në vend të Selami Pepës është Nikolin Leka. Po ashtu pjesë e Vllaznisë do jetë edhe një prej futbollisteve më të mira, Ambra Gjergji.

Me vajzat kuqeblu janë afruar edhe disa futbolliste nga Kosova, si dhe portierja e Maqedonisë, Frosko Kostova. Skuadra shkodrane do të jetë në një grup me ekipin kampion të Turqisë (Konak Belediyespor), kampionet e Bosnjës (WFC SFK 2000 Sarajevo) dhe Bjellorusisë (ZFK Minsk). Ndeshja e parë për Vllazninë do të luhet më 10 gusht me vendëset. Sezonin e kaluar, ekipi kuqeblu u eliminua nga mungesa e fatit, por edhe padrejtësitë në gjykim, teksa ishte shumë pranë një kualifikimi historik. Senad Nikshiqi