Çela: “Besa, e përgatitur për 2 variante Superioreje”! Valbona përshëndetet me të Parën, Kërnaja tregon sakrificat
Si asnjë ekip tjetër në këtë fazë të tretë, Besa ka marrë 9 fitore dhe një barazim.
Sot kavajasit synojnë fitoren e 10-të të kësaj faze në Tropojë. Ecuria bëri që të ngushtohet diferenca, por ka mjaftuar deri në këtë moment për të siguruar ngjitjen direkt në Superiore. Kavajasit i kanë menduar të dyja situatat, qoftë festën të dielën, por edhe pritjen me qetësi e besim të “play off”-it. Për të gjitha këto, trajneri Emiljano Çela flet për “Panorama Sport”.
Luani ndeshjen e fundit të fazës së tretë kundër Valbonës…
Ekipi ka punuar mirë edhe gjatë këtyre ditëve. Lojtarët janë entuziastë dhe shumë të përqendruar. Besimi është shumë i madh, që çdo gjë do të shkojë mirë dhe do të marrim atë që meritojmë.
I druheni ndonjë surprize të pakëndshme në Tropojë?
Kampionati ka qenë i gjatë, i ngjeshur dhe lojtarët janë lodhur disi, por Besës i duhet edhe një sforco në Tropojë, që të paktën të jemi në rregull me veten tonë. Mund të luajmë edhe për rekorde, që askush se ka bërë më parë me 10 fitore e një barazim. Kjo mund të na shërbejë si motivim, edhe pse objektiva të tjerë s’janë në dorën tonë.
Besoj se luani në Tropojë me njërin vesh në Vorë?
Patjetër, duhet të jemi maksimalisht të përqendruar që ta zgjidhim sa më shpejt rezultatin e sfidës. Them kështu, pasi nuk ka ekipe të lehta nëse nuk ke impenjimin maksimal. Pavarësisht rezultateve, Valbona ka bërë lojëra shumë të mira kohët e fundit dhe këtë do përpiqet ta bëjë edhe ndaj nesh.
Ju vjen keq që tifozët verdhezi pritet të ndjekin ndeshjen Vora-Flamurtari dhe jo Besën?
Do dëshiroja që tifozët të ishin në mbështetjen tonë në Tropojë. Qoftë edhe për një ditë ndryshe në Tropojën turistike. Po në rastin më të fatlum për ne, do t’u bashkohemi në Kavajë në mbrëmje që të festojmë bashkë ose të luftojmë bashkë deri në sfidën finale të “play off”-it.
Pra, jeni përgatitur për të dyja variantet?
Deri përpara ndeshjes në Vlorë, ekipi ishte shumë mirë i përgatitur psikologjikisht për “play off”-in. E kishim të qartë çdo gjë si duhet të shkonim aty, duke marrë parasysh të gjithë elementet psikologjike, fizike apo qoftë modulin e lojës. Ka dy javë, që pas fitores në Vlorë, ëndërrojmë e shpresojmë që të futemi direkt në Superiore. Është opinioni, tifozët, futbolldashësit në përgjithësi në Shqipëri, që na kanë kredituar ne si ekipi më i mirë dhe që meritojmë të futemi direkt në elitë. Kështu, në rastin më të keq, i trembem mënyrës se si do ta përjetojë ekipi dhe do të na duhet një punë dyfish më e madhe me aq pak kohë sa kemi që të përgatisim “play off”-in në aspektin psikologjik. FERIZ FERIZAJ
Valbona sot do të luajë ndeshjen e fundit në Kategorinë e Parë, pikërisht në stadiumin “Vëllezërit Gega” të Tropojës, ku do të presë Besën e Kavajës.
Edhe këtë herë formacioni i saj do të jetë i cunguar. Madje, nuk do të ketë asnjë lojtar në dispozicion, pasi Klajdi Islamaj nuk do ta luajë këtë takim, për shkak të kartonit të kuq që mori javën e kaluar në Burrel. Për trajnerin Oltijon Kërnaja do të jetë mjaft e vështirë për të përmbyllur edhe këtë ndeshje ndaj Besës.
Për “Panorama Sport”, trajneri Kërnaja u shpreh: “U riktheva në Kategorinë e Parë, sepse ishte e nevojshme për ta ndihmuar sadopak ekipin tim. Erdha për të kthyer Valbonën në rrugën e duhur, në atë rrugë që unë e nisa 4 vite më parë. Mes shumë sakrificash, problemesh, i vetëm pa asnjë pjesëtar të stafit teknik e mbi të gjitha me vetëm 11 lojtarë gjithsej, e ku të gjithë kishin qëlluar jashtë roleve të tyre. Sakrifikuam dhe respektuam kampionatin. Luajtën drejt, si të barabartë në fushë kundrejt çdo kundërshtari. Edhe këtë javë, për respekt të tifozëve dhe të qytetit, ata meritojnë më shumë. Edhe pa asnjë objektiv, pasi ekipi kishte humbur shanset për të mbijetuar, këta djem nuk u përzien, nuk u përfolën e mbi të gjitha arritën të merrnin sadopak nga ajo që unë kërkoja, sakrificë, grup dhe futboll të bukur. Megjithatë, jam krenar sepse Valbona fitoi 12 lojtarë dhe sezonin e ardhshëm ka themelet e sigurta për t’u rikthyer sërish këtu, në Kategorinë e Parë”. ABDULLA DUSHKU
PANORAMASPORT.AL













