Bylisi për fitore në Elbasan, Josa kërkon përqëndrim
Mirel Josa bashkë me stafin e tij, në këtë fazë kulminante të garës kërkojnë që të marrin maksimumin nga lojtarët. Në seancën e djeshme, teksa kanë kryer edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit, te mallakastriotët janë parë lëvizje në skemë. Ballshiotët luajnë nesër në Elbasan dhe në Ballsh kanë besim se pas fitores me Vllazninë, mund të marrin një tjetër rezultat pozitiv edhe ndaj verdhebluve.

Bylisi i këtij sezoni ka qenë i fortë edhe në transferta, teksa ka barazuar dy herë me Dinamon në kryeqytet, ka mundur Tiranën në Tiranë dhe ka marrë pikë në Shkodër. Madje jashtë fushës së tyre është konstatuar se mallakastriotët luajnë më lirshëm, e sidomos në terrene si ai në “Elbasan Arena”. Ndaj edhe mallakastriotët do të guxojnë, aq më tepër që forca e grupit është rritur, sidomos me afrimin e lojtarëve me eksperiencë në merkaton e janarit, ku çdo repart është forcuar duke rritur konkurrencën dhe cilësinë.
Pritet që skema të ndryshojë, për më tepër që në Elbasan do të ketë mungesa, megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do të jetë në fushë që nga minuta e parë Stoilov, që shënoi eurogol ndaj Vllaznisë, apo Josa, do ta nisë me ata lojtarë që zbriti në gushë ndaj verdhebluve. Dëmtimet dhe pezullimet kanë lënë jo pak pasoja tek Bylisi në ndeshjet e këtij sezoni, megjithatë, grupi është i konturuar dhe kjo u pa qartë edhe në takimin e fundit me verdheblutë, ku jo vetëm formacioni, por edhe lojtarët që luajtën si zëvendësues patën ndikimin e tyre pozitiv në marrjen e 3 pikëve.
Megjithatë, pritet që vetë, sot, ose nesër, Josa bashkë me stafin do të ndajnë mendjen për lojtarët të cilët do të hedhin në fushë që nga minuta e parë në Elbasan. Byisi kërkon që të mos lëshojë terren dhe të mbajë këtë pozicion që ka aktualisht. Ndaj edhe këto dy ndeshje të kësaj faze janë vendimtare për mallakastriotët. Ekipi ka qëndruar në grumbullim gjatë gjithë javës, çka tregon se kjo transfertë është vlerësuar shumë. Ndërsa në Elbasan pritet që skuadrën ta shoqërojnë edhe tifozët mallakastriotë…
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













