Bylisi nis sezonin me ambicie maksimale, trajneri Josa zgjedh formacionin kundër Tiranës
Krerët më të lartë të Bylisit kanë zhvilluar një takim me skuadrën dhe stafin në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik.
Presidenti Besnik Kapllanaj, së bashku me presidentin nderi Agron Kapllanaj, kanë uruar lojtarët dhe stafin, duke kërkuar nga ekipi një nisje të mbarë të garës dhe shpalosjen e synimeve, të cilat këtë sezon janë më ambicioze se vitin e kaluar. Presidenca e klubit ka kërkuar gjithashtu nga stafet e ekipeve të akademisë një angazhim maksimal për sezonin e ri, me qëllim rritjen e vlerave të futbollit mallakastriot, që mbetet një nga mjetet kryesore të argëtimit në zonë. Prioritet mbetet promovimi i “fair-play”-it dhe korrektësisë në çdo sfidë.
FORMACIONI – Bylisi ka pasur disa lëvizje në merkato, por trajneri Mirel Josa ka ruajtur pjesën më të madhe të grupit të lojtarëve nga sezoni i kaluar. Largimet e spikatura janë ato të portierit Jeremi dhe mbrojtësve Carmona dhe Koita, ndërsa zëvendësimet kanë sjellë lojtarë që do të plotësojnë formacionin. Për sfidën hapëse ndaj Tiranës, Josa pritet të zbresë në fushë me një formacion të ndryshuar. Pesë ndeshje miqësore kanë mjaftuar për trajnerin dhe stafin teknik që të vendosin 11- shen titullare, me synimin kryesor fitoren në ndeshjen e parë të kampionatit, e cila starton sot në orën 17:00 në “Adush Muçaj”.

TIFOZËT – Seancat e fundit stërvitore anti-Tiranë kanë qenë të ndjekura edhe nga disa dhjetëra tifozë vendas. Duke luajtur në shtëpi dhe përballë një kundërshtari me traditë, mbështetja pritet të jetë maksimale. Ultrasit kanë premtuar se do të jenë pranë skuadrës për 90 minuta, duke e inkurajuar ekipin drejt fitores. Ashtu si skuadra, edhe tifozët po përgatiten me entuziazëm për sfidën hapëse.
PANORAMASPORT.AL













