Ngjarje horror në Itali, ekzekutohet me plumb në kokë gazetari sportiv dhe i vihet flakë për të fshehur gjurmët
Një ngjarje shumë e rëndë është bërë publike sot në mediat italiane, të cilat kanë bërë publike ndarjen nga jeta të gazetarit sportiv Luka Espozito si rrjedhojë e një ngjarje të tmerrshme.

Gazetari 53-vjeçar, i cili ishte themelues i faqes “TuttoSalernitana” dhe publikonte lajme rreth skuadrës në fjalë edhe për media të tjera sportive italiane, është larguar nga banesa e tij gjatë natës së të shtunës, për t’u gjetur vetëm i pajetë dhe i karbonizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në fakt, në një terren të izoluar në komunën e Ebolit, janë konstatuar flakë nga banorë të zonës dhe është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve për të shuar zjarrin. Gjatë këtij procesi aty është gjetur edhe një trup i pajetë i karbonizuar nga flakët dhe në gjendje të tillë sa ishte thuajse e pamundur të identifikohej.
Më pas është konstatuar se viktima nuk ishte e rastësishme dhe nuk kishte humbur jetën nga flakët, pasi është gjetur një gëzhojë plumbi dhe në kafkën e tij kishte edhe shenjën e kësaj vrasje të kryer në stilin e ekzekutimit mafioz. Për më tepër, hetimet treguan se zonës i është vënë zjarr për të fshehur gjurmët dhe provat e mundshme.
Identifikimi i Espozito është bërë vetëm pasi kanë nisur kërkimet përreth dhe është zbuluar jo shumë larg makina e tij e braktisur me të gjitha sendet personale brenda.
Për momentin nuk ka informacione rreth arsyes së kësaj vrasje, ndërsa po hetohet jeta personale e 53-vjeçarit.
PANORAMASPORT.AL













