EKSKLUZIVE/ “Bombë” tek Egnatia, Aleksi drejt largimit nga kampionët. Zbulohen klubet që kanë shfaqur interes për mesfushorin
Albano Aleksi është drejt largimit nga Egnatia. Ky është lajmi i bujshëm që mësohet nga “Panorama Sport”, pikërisht pasi u arrit akordi për transferimin e Ledio Beqjas te rrogozhinasit.

Gazeta mëson edhe prapaskenat në merkato. Beqja është afruar si numër 6 dhe shikohet si zëvendësuesi i duhur i Aleksit, ndërsa Altin Kryeziu ka blinduar vendin e tij.
Jo vetëm kaq, “Panorama Sport” mëson po ashtu skuadrat e interesuara për shërbimet e kapitenit të Egnatias.
Bëhet fjalë për Tiranën, Vllazninë dhe Teutën që do të ishin të gatshme për Aleksin. Mesfushori 33-vjeçar ka punuar më parë në kryeqytet dhe në Durrës, ndërsa Shkodra është “pistë” e re për të.
Sfida e fundit që Aleksi luajti ishte në Moldavi ndaj Petrokub, pikërisht për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Aty ku u largua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë, për këtë humbi edhe ndeshjen e kthimit. Egnatia megjithatë ia doli që të kualifikohej në turin e dytë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













