Europa ndryshon planet e Vllaznisë, kërkohen përforcime të reja
Eliminimi që në turin e parë të Conference League ka bërë që te Vllaznia të nisin menjëherë analizat për atë çfarë nuk funksionoi dhe për ndërhyrjet që duhen bërë në merkato.

Edhe pse sezoni europian përfundoi shumë shpejt për kuqeblutë, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të ndalen, por përkundrazi po punojnë për t’i dhënë trajnerit një skuadër më konkurruese për objektivat e sezonit të ri. Pavarësisht numrit të konsiderueshëm të afrimeve të kryera gjatë muajit qershor, jo të gjithë futbollistët e ardhur kanë arritur të bindin plotësisht stafin teknik. Disa prej tyre kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur, ndërsa të tjerë nuk kanë dhënë ende sinjalet e pritura.
Pikërisht për këtë arsye, merkatoja e Vllaznisë mbetet ende aktive dhe drejtuesit po vlerësojnë alternativa të reja për të rritur cilësinë e grupit. Nga ajo që mëson “Panorama Sport”, prioriteti kryesor në këtë moment mbetet përforcimi i repartit ofensiv dhe i mesfushës. Sulmi është një nga sektorët ku kërkohen më shumë zgjidhje, ndërsa edhe mesfusha konsiderohet se ka nevojë për më shumë kreativitet, ritëm dhe alternativë. Këto dy reparte janë identifikuar si pikat ku skuadra ka ende boshllëqe dhe ku pritet të përqendrohet puna e drejtuesve në javët në vijim. Megjithatë, nuk përjashtohen lëvizje edhe në repartet e tjera.
Në varësi të mundësive që do të ofrojë tregu dhe largimeve të mundshme, Vllaznia mund të ndërhyjë edhe në portë apo në mbrojtje. Klubi po monitoron disa profile futbollistësh dhe nuk dëshiron të nxitohet, me synimin që afrimet e ardhshme të jenë të nivelit të duhur dhe të rrisin menjëherë konkurrencën brenda skuadrës.
Kështu, edhe pse ka qenë një nga ekipet më aktive në merkato gjatë kësaj vere, Vllaznia mbetet ende një “kantier i hapur”. Deri në mbylljen e merkatos së verës priten të tjera lëvizje, me drejtuesit kuqeblu të vendosur për të plotësuar kërkesat e stafit teknik dhe për të ndërtuar një skuadër që do të synojë të rikthehet protagoniste në kampionatin shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













