Penalltitë që dënuan Elbasanin, trajneri i BATE tregon “hilenë” te gjuajtjet nga lojtarët e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2026 | 19:40

Penalltitë që dënuan Elbasanin, trajneri i BATE tregon “hilenë” te gjuajtjet nga lojtarët e tij

Trajneri i BATE Borisov, Vitali Rogozhkin, pranoi se skuadra e tij nuk ishte përgatitur posaçërisht për serinë e penalltive në ndeshjen ndaj Elbasanit në Ligën e Konferencës, por zbuloi se portieri kishte informacione të detajuara për gjuajtësit kundërshtarë.

bandicam 2026-07-16 21-42-13-517

Çfarë emocionesh po përjetoni pas kualifikimit?
Emocionet… Siç e shihni, tani gjithçka ka mbaruar. Djemtë lanë gjithçka në fushë dhe kjo është arsyeja pse ndihet një lodhje e madhe. Ka gëzim, por edhe rraskapitje, sepse është shpenzuar shumë energji. Djemtë bënë një punë të shkëlqyer. Siç e patë, rezistuam në momente shumë të vështira. Krijuam raste edhe në kohën shtesë dhe mund ta kishim fituar ndeshjen edhe pa penallti. Fati ishte në anën tonë. Para gjuajtjeve të penalltive u kujtova lojtarëve se kishin kaluar një situatë të ngjashme në finalen e Kupës dhe se duhej ta bënin sërish. Ata ia dolën. I përgëzoj tifozët tanë për këtë fitore dhe për kualifikimin në raundin tjetër. Ju siguroj se pas këtyre ndeshjeve europiane do të rikthehemi në kampionatin bjellorus si një skuadër tjetër.

Çfarë u thanë lojtarët tuaj futbollistëve të Elbasanit para penalltive?
Ju e patë se si djemtë tanë u përpoqën t’i provokonin pak lojtarët shqiptarë. U kërkuam që t’u jepnin ‘këshilla’ kundërshtarëve se ku të gjuanin penalltitë. Dikush u tha: ‘Gjuaje në traversë’, një tjetër: ‘Humbe’. Ishte thjesht një mënyrë për të ushtruar presion psikologjik.

A u përgatitët për penalltitë përpara ndeshjes së kthimit?
Jo, sepse sinqerisht besonim se do ta zgjidhnim ndeshjen brenda 90 minutave. Megjithatë, trajneri ynë i portierëve, Jevgeni Dmitrieviç Dergaj, kishte përgatitur një analizë të detajuar se ku gjuanin zakonisht lojtarët e Elbasanit. Mund të them se portieri ynë kishte informacionin e nevojshëm.

PANORAMASPORT.AL