Bylisi me mungesa, kalendari kthehet në problem
Bylisi i këtij sezoni ka qenë me hope dhe ballshiotët nuk kanë provuar që të kenë një ecuri pozitive, në më shumë se tre javë. Madje, ndryshe nga një sezon më parë, kur mallakastriotët merrnin disa fitore jashtë fushës së tyre, këtë kampionat kanë provuar të fitojnë vetëm në kryeqytet me Tiranën, ndërsa kanë marrë pikë në transferta ndaj Vllaznisë, Dinamos (dy herë) dhe Elbasanit.

Bylisi mori një fitore me shumë vlera ndaj vlonjatëve, teksa skuadra mallakastriote mposhti në limite Flamurtarin. Një lojë e dominuar nga Bylisi, sidomos në pjesën e dytë, kur ballshiotët shënuan, goditën portën dhe traversën dy herë, duke krijuar raste të shumta. Tre pikë me shumë vlerë dhe një diferencë e rritur me vlonjatët, ndërsa synimi është të ruajnë këto pozita e pse jo, të ngjiten edhe më lart në renditje. Tashmë ballshiotët shohin përpara, ndonëse janë dy javë ndërprerje për shkak të angazhimeve të kombëtareve.
Ata kanë nisur të mendojnë menjëherë për Egnatian. Pa katër “legjionarët”, vëllezërit Marku, Përndreca e Kamara, me Brunon e Koxhin që vijojnë të stërviten të diferencuar, Josa dhe stafi i tij, tashmë bëjnë gati strategjnë për ndeshjen e radhës në transfertë. Mallakastriotët kanë një kalendar delikat, madje luajnë më shumë ndeshje jashtë fushe, konkretisht(Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Vora) si dhe tri ndeshje në shtëpi, Dinamo, Teuta e Elbasani.
Bylisi do të luajë vetëm me një rival direkt, deri në fund, pikërisht Vorën javën e fundit. Këto duele mund të jenë efikase për fatet e sezonit. Mallakastriotët kanë treguar se dijnë që të jenë më të fortë edhe ndaj të mëdhave në sezonet e fundit, brenda dhe jashtë Ballshit. Ndaj edhe ballshiotët përfitojnë edhe nga përplasjet e rivalëve me njëri-tjetrin, në duelet që do të kenë në dy-tre javët në vijim, që sigurisht do të ndikojnë edhe tek ballshiotët.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













