Bylisi kërkon ‘ringjalljen’ ndaj vlonjatëve, finale mbijetese në Ballsh
Bylisi do të luajë në shtëpi të shtunën, në orën 15:00, përballë Flamurtarit, ndërsa disfata me Tiranën vazhdon të ndihet në kampin mallakastriot. Askush nuk e kishte menduar se skuadra do ta humbiste atë duel ndaj një kundërshtari me emër të madh, sidomos pasi ndeshja u vendos nga një episod i vetëm, si pasojë e një gabimi të lojtarëve të Bylisit.

Ballshiotët patën mundësi reale për ta fituar sfidën, por trajneri Josa ka kërkuar nga skuadra vigjilencë maksimale dhe përqendrim të plotë te ndeshja e radhës. Për teknikun do të jetë një përballje e veçantë, pasi përballë do të ketë një ishskuadër të tijën, Flamurtarin, ndërsa në Ballsh parashikohet një duel mjaft i vështirë. Vlonjatët kanë qenë shumë aktivë në merkato gjatë verës dhe e kanë nisur me ritëm tjetër gjysmën e dytë të kampionatit. Në tri ndeshjet e fundit, Bylisi ka grumbulluar vetëm një pikë, ndërsa Flamurtari ka marrë shtatë, çka e bën këtë përballje mjaft përcaktuese në betejën për mbijetesë.
Për mallakastriotët, objektivi është rikthimi te fitorja për t’u larguar nga zona e rrezikut. Skuadra pritet të jetë pothuajse e plotë ndaj vlonjatëve, edhe pse Bruno dhe Koxhi vazhdojnë të shqetësojnë me dëmtimet e tyre. Të dy futbollistët kanë afro një muaj jashtë fushave dhe ndodhen në fazë riaftësimi, pasi dëmtimet rezultuan më serioze nga sa ishte parashikuar fillimisht. Afrimet e merkatos së janarit janë përshtatur mirë me grupin, ndaj mungesat nuk janë ndier shumë në Ballsh. Megjithatë, pritet më shumë nga reparti ofensiv, ku nuk kanë munguar përforcimet e bujshme.
Edhe në sfidën me Tiranën u pa se Bylisi krijon volum loje, por shpërdoron raste flagrante për shënim. Ndaj Flamurtarit shpresohet që skuadra të shfaqet ndryshe në çdo aspekt dhe të rikthehet te fitorja. Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, me një numër të madh tifozësh nga Ballshi dhe zonat përreth, çka mund të shërbejë si një shtysë e fortë për mallakastriotët në këtë sfidë vendimtare. Bylisi ka edhe një motiv më shumë në këtë takim, pasi kërkohet fitorja e parë sezonale ndaj vlonjatëve. Sfida e fazës së parë u mbyll në barazim 3-3, ndërsa dy përballjet e tjera janë fituar nga Flamurtari me rezultat.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













