Bylisi do mbijetesën, Josa kërkon ruajtjen e grupit dhe përforcime me eksperiencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2025 | 22:28

Bylisi do mbijetesën, Josa kërkon ruajtjen e grupit dhe përforcime me eksperiencë

Bylisi e mbylli ne vendin e tetë, por drejtuesit ballshiotë shpresonin për më shumë, nisur edhe nga investimi kolosal që është bërë në verë, teksa në Ballsh janë afruar shumë emra të spikatur nga brenda dhe jashtë vendit. Madje, klubi rriskoi dhe refuzoi edhe 5 oferta për titullarë, për faktin se pretendimit do të ishin për shumë këtë sezon, në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë.

JOSA KAPLLANAJ

Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij deri ditët e fundit të vitit do të zhvillojnë seanca me ngarkesa të ulëta, ndërsa, në fillim të vitit pritet që për 10-ditë të ketë një fazë të mirëfilltë, duke qenë se nuk ka shumë kohë, pasi luhet Kupa e Shqipërisë në 10 janar dhe më pas kampionati. Megjithatë, deri në atë periudhë, mallakastriotët e Mirel Josës kanë plane të tjera dhe me sa duket disfata me Vorën nuk është kapërdirë mirë, pasi ka pasur edhe një analize në klub.

Skuadra duket se tashmë ka nisur edhe merkato dhe duket se fillimisht do të ketë largime apo huazime, ndërsa do të ketë sigurisht edhe 2-3 afrime, por vetëm lojtarë të cilët kanë eksperiencë dhe do të bëjnë diferencën, pasi Bylisi krahas mbijetesës në elitë synon Kupën e Shqipërisë, trofe të cilit i ka shkuar disa herë shumë afër. Ndaj edhe këtë sezon mallakastriotët e kanë seriozisht në këtë kompeticion. Josa ka kërkuar patjetër përforcime, por merkato më e mirë në Ballsh është ruajtja e grupit. Edhe për atë se janë sërish 5-6 elementë shumë të kërkuar në merkato, shqiptarë, por edhe të huaj. Natyrisht që e ardhmja e tyre do të jetë në vlerësimin e klubit, pasi nëse ka oferta të leverdishme do të ketë edhe ndonjë shitje…

TESTI – Duke qenë se kanë disa ditë në dispozicion, ballshiotët mund të luajnë një ndeshje miqësore, duke qenë se përgatitjet mbyllen në 30 dhjetor, për të rinisiur më datën 2 janar të vitit 2026. Nga sa bëhet e ditur mund të ndeshen me ndonjë skuadër të së Parës, siç janë Apolonia, Lushnja apo dhe Luftëtari. Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë dhe të vendoset sot ose nesër. Në këtë test mund të ketë edhe ndonjë element të ri në provë, kryesisht për skuadrën e dytë që synon edhe ajo të ngjitet në të Parën.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL