Bregu flet për skuadrën dhe objektivat: Dinamo, ekip i ndërtuar për kampion. I besojmë njëri-tjetrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2025 | 13:57

Bregu flet për skuadrën dhe objektivat: Dinamo, ekip i ndërtuar për kampion. I besojmë njëri-tjetrit

Dinamo e kaloi momentin e vështirë në kampionat dhe u rikthye te fitoret. Këto pikë, duket se i kanë dhënë besim skuadrës, teksa Dejvi Bregu u shpreh në intervistën për “Panorama Sport” se skuadra është ndërtuar për të qenë kampion.

bregu

Dejvi, dy fitore radhazi në dy javët e fundit. Çfarë do të thotë kjo për Dinamon?

Do të thotë vazhdimësi, që është shumë e rëndësishme sidomos kur rezultatet janë pozitive dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.

Pak javë më parë, skuadra ishte në vështirësi. Çfarë nuk po shkonte?

Nuk kishte ndonjë gjë që nuk shkonte, se futbolli i ka të gjitha situatat, por prapë të jeni të bindur që besimi te njëri-tjetri dhe te grupi nuk humbet asnjëherë.

Sa mendon se mund të shkojë kjo Dinamo në kampionat?

Dinamo do tentojë t’i shkojë deri në fund çdo kompeticioni, sepse i kemi të gjitha mundësitë dhe cilësitë, duke i treguar në fushë, sepse aty jemi bazuar ta tregojmë veten.

A e ndjeni presionin e titullit kampion?

Ekipi është ndërtuar për kampion, por nuk kemi pse të ndjejmë presion, sepse kemi një grup të ndërthurur shumë mirë, që besoj di ta menaxhojë presionin që krijohet vetvetiu kur pritshmëritë janë të mëdha për një ekip me shumë cilësi si i joni.

Çfarë ka Dinamo ndryshe nga sezoni i shkuar që nuk arriti në finalen e Final 4?

Besoj se pas një viti kemi një grup të konsoliduar, pavarësisht se janë larguar lojtarë të rëndësishëm, por gjithashtu janë afruar lojtarë me vlera, që besoj se do na ndihmojnë në objektivat madhorë që ka klubi.

Skuadrës i janë larguar Zabërgja dhe Itodo… sa e ndjen ti personalisht largimin e tyre dhe peshën e sulmit?

Dy lojtarë me cilësi dhe goxha vlera, që kemi kaluar momente të bukura vjet, dhe i urojmë të gjithëve që t’u shkojë sa më mbarë në aventurën e tyre, ndërsa për sa i përket peshës, secili lojtar brenda grupit ka peshën dhe rëndësinë e vet.

Kombëtarja luan shanset e saj në Botëror. A e prisnit një ftesë për këto dy ndeshje?

Shumë herë më janë bërë të tilla pyetje dhe i jam përgjigjur po njësoj… që unë gjatë gjithë karrierës, e deri në fund, ia kam lënë fushës ta tregoj veten dhe kaq.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL