Bora rrezikon sfidën e Skënderbeut me Vllazninë, korçarëve u mungon një element kyç
Skënderbeu vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë me dyshimet nëse do të zhvillohet normalisht apo jo. Pas eksperiencës jo të mirë të pësuar në ndeshjen e Kupës përballë Vorës, që edhe pse u zhvendos në Bilisht sërish terreni ka qenë i mbuluar nga bora dhe tejet i vështirë, duke rrezikuar dëmtimin e lojtarëve, edhe në këtë pragndeshje frika është prezente.

Ende terreni i stadiumit Skënderbeu është i mbuluar nga bora dhe temperaturat e ulëta gjatë gjysmës së ditës e bëjnë të pamundur shkrirjen e borës dhe akullit duke mos lejuar pastrimin e fushës. Kjo duket se nuk i shkon përshtat dy ekipeve, që lojën e kanë të bazuar te qarkullimi i topit. Ndaj edhe për këtë në Korçë mbeten me sytë nga qielli me shpresën e rritjes së temperaturave dhe për të bërë të mundur pastrimin e borës dhe rikthimin e fushës në normalitet.
Gjithsesi, ende për momentin asgjë nuk është e sigurt, ndaj edhe për këtë korçarët janë duke punuar me dilemën e zhvillimit të ndeshjes apo jo. Përtej dilemave, trajneri Ernest Gjoka nuk ka ulur ritmin e përgatitjeve, teksa edhe ditën e djeshme ka nxjerrë ekipin në fushë për tu stërvitur. Pritet që nga sot ngarkesat të shtohen dhe të fillojë përgatitja për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë.
MUNGESAT – Përtej ngarkesës së muskujve nga terreni i keq dhe ndeshjet e ngjeshura, korçarët duhet të bëjnë llogarinë e mungesave për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë. Sigurisht që deri në momentet që flasim mungesë e sigurt për Skënderbeun është ajo e Ergi Zenullarit, i cili vuan ende problemet fizike dhe nuk është plotësisht gati për të qenë në fushë.
Nga ana tjetër edhe Randi Dumfur ka pasur shqetësimet e veta menjëherë pas ndeshjes me Partizanin për shkak të një goditjeje të marrë në gjurin e djathtë në fund të ndeshjes. Sigurisht që veç problemeve për shkak goditjeje Randi ka edhe një eksperiencë të hidhur me të ftohtin për shkak të hipotermisë së pësuar dimrin e kaluar. Kjo bën që stafi të mos e sakrifikojë lojtarin për ndeshjen e radhës dhe me shumë mundësi mund të lihet jashtë ekipi. Pjesa tjetër duket se është e gjitha në dispozicion të trajnerit që ka mundur të rikuperojë edhe Vaskezin dhe mesfushorin Frenkli.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













