Blutë e Dinamos kthehen në infermieri, shtohen 3 dëmtime të tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2026 | 20:10

Blutë e Dinamos kthehen në infermieri, shtohen 3 dëmtime të tjera

Dinamo u mund në shtëpi nha Vllaznia me rezultatin 0-2, në një ndeshje të interpretuar keq nga vendësit, ndërkohë që Vllaznia arriti të bënte gjithçka siç donte vetë në fushë. Sikur të mos mjaftonte vetëm paraqitja e keqe e dëmtimet që kishte deri aty, Dinamos i janë shtuar edhe 3 dëmtime të tjera, duke shtuar hallet për stafin teknik, që këtë javë kanë një përballje shumë të vështirë në transfertë ndaj Elbasanit.

DINAMO

Aliji, Maliqi dhe Beqja ishin lojtarët që mungonin te Dinamo prej disa javësh ndërkohë që në sfidën e fundit, në tribunë kishin përfunduar edhe Faton Neziri dhe Klevi Qefalija. Të dy lojtarët u dëmtuan në ditët e fundit dhe do të mungojnë për disa ditë ku me shumë gjasa nuk do t’ia dalin as për sfidën ndaj Elbasanit. Ndërkohë, gjatë ndeshjes Daja u detyrua që të bënte edhe një zëvendësim të detyruar, duke hequr Lorranin nga fusha e blertë pasi edhe ky i fundit pësoi dëmtim dhe nuk mundi t’ia dilte për minutat në vazhdim.

Në kushte të tilla, Dinamo do të duhet të bëjë me skuadër të cunguar në javët e ardhshme dhe kampionati ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme, ku çdo pikë vlen shumë për kampionatin dhe “Final 4”. Si për ironi të fatit, vetëm pak ditë më parë Dinamo afroi në klub edhe një doktor me eksperiencë si Aldo Vangjeli, i cili për disa vite ka punuar me klubin e Tiranës dhe mjekësinë sportive e njeh shumë mirë.

Tashmë, mbetet të shihet nëse Dinamo do të bëjë transferime të sforcuara në merkao apo do të ketë sërish improvizime nga trajneri. Kalendari është i ngjeshur dhe deri në mesin e muajit shkurt, Dinamo do të kombinojë ndeshjet mes Superiores dhe Kupës së Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL