Blerje të goditura te Tirana, por nuk ka mbaruar. Çfarë planifikojnë drejtuesit bardheblu
Tirana dhe presidenti Refik Halili tani janë më të qetë. Në testin e parë kundër Lirisë, u panë në fushë lojtarët e sapoblerë të bardhebluve. Dhe paraqitja e tyre ka qenë goxha e mirë.
Si Tsotne Patsatsia, Serge Uilliam Tabekou Ouambe, Kleandro Lleshi, Angelo Tafas, Georgios Valerianos, por Etien Tare kanë treguar veten. Më shumë në sy kanë rënë gjeorgjiani dhe afrikani, të cilët jo vetëm që treguan veten në miqësore, por njëri mori penallti dhe ishte shumë aktiv në fushën e lojës, ndërsa tjetri një shënoi golin e barazimit të përkohshëm. Burime të gazetës bëjnë me dije se paraqitja e lojtarëve ka kënaqur presidentin Refik Halili.
Nga ana tjetër, skuadra ka për të përmirësuar disa gjëra në mbrojtje. U pa qartë se me tre lojtarë në prapavijë është e pamundur të luhet ose të paktën në fillim qe e vështirë. Lleshi bëri më mirë si mesfushor qendre sesa si qendërmbrojtës. Nga ana tjetër, Mile duhet të vendosë se cili do të jetë titullari në portë, Tafas apo Kozi. Ky i fundit ende nuk ka firmosur për sezonin e ri.
2 AFRIME – Në skuadër pritet të ketë edhe të paktën dy afrime. Emrat e lojtarëve do të zyrtarizohen në ditët në vijim. Me mungesat e Ernestit, Metës, por edhe të Ismailit dhe Gjumsit, skuadra vuan stolin. U pa që ekipi nuk kishte alternativa në stol dhe për të rinjtë është akoma shpejt.
Tiranës i duhet një afrim në mesfushë dhe një në mbrojtje, për të mos folur që edhe në krahun e djathtë duhet një lojtar. Gjithsesi, deri në mbyllje të merkatos ka ende kohë, me bardheblutë që kanë objektiva të qartë. Afrimet nuk do të ndalen dhe Miles do t’i vihet në dispozicion organika e duhur për të qenë pretendentë për kampionatin e ri.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













