Bilanc “lufte” te Partizani, infermieria mbushet me 9 futbollistë të dëmtuar. Si mund të luajnë të kuqtë ndaj Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2025 | 11:19

Bilanc “lufte” te Partizani, infermieria mbushet me 9 futbollistë të dëmtuar. Si mund të luajnë të kuqtë ndaj Elbasanit

Partizani do të presë Elbasanin në “Arena e Demave”. Dhe ndryshimet pas humbjes 4 me 1 ndaj Vllaznisë shikohen gati të domosdoshme. Nga formacioni i Shkodrës pritet që fillimisht të ketë lëvizje në mbrojtje. Albion Marku ka punuar në maksimum, që të jetë gati për ta nisur nga minuta e parë. Kapiteni Hoxha ndërkohë do të jetë sërish në katërkëndëshin e Partizanit, pasi Qirko pësoi dëmtim duke u përplasur në stërvitje dhe e ka humbur këtë javë.

partizani

Në repartin ofensiv po ashtu do të ketë lëvizje, pasi Skuka ka pësuar tërheqje dhe vendin e tij mund ta marrë Bintsuka ose Toma. Kështu “Panorama Sport” ka ndërtuar formacionin e mundshëm, bazuar edhe në situatën aktuale. Shtatë dëmtime në tri javët e fundit janë shumë, ndërsa detyra i mbetet Milinkoviç për të bërë zgjedhjen e duhur. Vetëm 4 pikë të grumbulluara shtojnë po ashtu presionin, edhe pse është vetëm fillimi i sezonit. Elbasani kryesues ka aktualisht 3 pikë më tepër, kështu fitorja në shtëpi do të qetësonte situatën para sfidave të tjera.

Screenshot 2025-09-20 111723

Partizani vuan dëmtimet, infermieria mbushet me 8 futbollistë

Dëmtimet janë problemi më i madh i Partizanit në këtë sezon. Para fillimit të kampionatit të kuqtë humbën Albers Kekon dhe Amos Nondin, që do të mungojnë për një kohë të gjatë. Prej atëherë lista e dëmtimeve është shtuar. Sembenes, Martinezit, Buxhelajt, Shanajt dhe Doumbias u shtohet tashmë Skuka dhe Qirko. Ky i fundit përgjatë një dueli në stërvitje, ka çarë vetullën. Dhe të paktën sot e ka të pamundur të luajë, teksa vendin e tij pritet ta marrë sërish kapiteni Hoxha si ndaj Vllaznisë.

Buxhelaj dhe Shanaj me shumë gjasa do të kthehen që në javën e ardhshme. Ndërkohë Sembenes dhe Martinezit që theu dorën, do u duhet më tepër kohë. Mladen Milinkoviç ka vuajtur kështu situatën e krijuar me dëmtimet, pasi asnjë skuadër tjetër e Superiores nuk ka aktualisht infermierinë të mbushur me tetë futbollistë. Më shqetësuese shfaqet situata në krahët e mbrojtjes ku nuk mund të llogariten shërbimet e Martinez dhe Buxhelajt. Kështu e gjithë pesha kalon në këtë moment te Marku dhe Atanaskoski, si alternativa natyrale për krahët.

Mungesat ndaj Elbasanit për shkak dëmtimi

Pano Qirko

Xhuliano Skuka

Saliu Sembene

Karlos Martinez

Paulo Buxhelaj

Mateo Shanaj

Arafat Doumbia

DËMTIME SERIOZE

Albers Keko

Amos Nondi

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL