Besa marshon drejt elitës, likuidon edhe Kastriotin. Josa: Goli i parë na ndihmoi. Bubeqi: Gjyqtari ndikoi te disavantazhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 13:40

Besa marshon drejt elitës, likuidon edhe Kastriotin. Josa: Goli i parë na ndihmoi. Bubeqi: Gjyqtari ndikoi te disavantazhi

Besa e trajnerit Mirel Josa nuk ka të ndalur dhe falë eksperiencës së Mentor Mazrekajt kavajasit po marshojnë drejt objektivit madhor, rikthim në Superiore. Radhën për të provuar superioritetin e verdhezinjëve pati dje Kastrioti, që në “Arena Egnatia” u mund me tripletën e Mantor Mazrekajt.

besa duke festuar pas fitores me kastriotin

Me këtë fitore Besa kryeson e vetme Kategorinë e Parë me 12 të plota, si dhe me 8 gola të shënuar dhe 0 të pësuar. Kavajasit janë skuadra e vetme që nuk kanë pësuar në 4 javë. 

Ndeshja- Që në minutat e para u vu re një Kastriot që luante fort për topin e parë, ndonjëherë edhe duke ndërhyrë ashpër ndaj kavajasve. Trajneri Bubeqi kishte menduar që Mazrekaj të dublohej nga Zuna dhe Berisha, i cili duhej të kthehej nga sulmi në ndihmë të mbrojtjes. Në minutën e tretë Besa rrezikon me Rubenilson. Dy minuta më vonë, provon  Stafa në hyrje të zonës, por Puja pret në dy kohë. Miqtë nga Kruja shfaqen për herë të parë me kavajasin Edmond Hoxha në minutën e 17-të, kur diagonalja e tij kalon ngjitur me shtyllën pingule.

Në të 36-ën minutë, Kastrioti shënon me Elvi Berishën, por anësori akordon pozicion të dukshëm jashtë loje. Miqtë sikur marrin zemër dhe përsëri Hoxha, këtë herë nga larg godet, por jashtë. Në minutën e dytë shtesë, Mazrekaj me një goditje prirtazi e dërgon topin në rrjetë, edhe pse në zonë disa lojtarë u ngritën për të devijuar “sferën”. 1-0 për Besën mbyllet pjesa e parë. Në të dytën, dominimi i Besës u bë më i theksuar, ndërsa krutanët u panë të frikësuar për të dalë përpara, ndonëse udhëzimet dhe ndërrimet e trajnerit Bubeqi ishin për një lojë sulmuese. Besa vihet në kërkim të golit të dytë. Në minutën e 55-të kavajasit dyfishojnë me të zakonshmin Mazrekaj.

Spahiu nga e djathta pason te Robinson, i cili brenda zonës e dërgon topin te kapiteni, i cili shënon dhe i çon shifrat në 2-0. Në të 72-ën, miqtë me Ajazin godasin, por Mehidri është aty. Në minutën e 73-të Mazrekaj bën tris duke i dhuruar Besës trepikëshin e radhës. Qyra tregohet i pakujdesshëm në kontrollimin e topit, duke i dhuruar Mazrekajt, i cili duke parë edhe daljen e portierit, nga jashtë zonën e dërgon topin në rrjetë dhe 3-0. Pas këtij momenti takimi nuk ka më histori, ndonëse krutanët mundohen të rrezikojnë me Ajazin. Gjithçka mbyllet me rezultat 3-0.

BESA – KASTRIOTI 3-0

GOLAT: Mazrekaj 45+2’, 55’, 75’

BESA: Mehidri, Frashri, Abdullai, Goxhaj, Nurja, Mëllugja, Stafa, Olivera (Aleksandre 68’), Rubenilson (Ibrahimi 87’), Spahiu (Kapo 81’), Mazrekaj (Nkube 80’); (Në dispozicion: Ahmeti, Gjinaj, Perja, Ramilli, Meçja, Kurt Mert). Trajner: Mirel Josa

KASTRIOTI: Puja, Krasniqi, Doseh, Zuna, Musaj, Kuka, Ymeri (Kapllani 60’), Moses (Qyra 64’), Hoxha (Arapi 60’), Ajazi, Berisha (Ndreu 71’); (Në dispozicion: Jaupllari, Agius, Kullaj, Okoronkuo, Xhafa, Ndreu, Hodo). Trajner: Dorjan Bubeqi

Kartonë të verdhë: Frashri 73’ / Musaj 13’, G.Vogli (staf 41’), Zuna 44’, Berisha 45+3’, Kuka 53’

Gjyqtarë: K.Cjapi (Fier), S. Met’hoxha (Lushnjë), D.Mile (Fier)

Vëzhgues: Genc Maloku (Tiranë)

Delegat: Eduard Gjini (Tiranë)

Trajneri verdhezi

Josa: Goli i parë na ndihmoi,  ja kush janë rivalët tanë

Besa nën drejtimin e trajnerit Mir4el Josa i ka bërë një nisje perfekt sezonit të ri në Kategorinë e Parë, ku dje morën fitoren e katërt radhazi, ku mposhtën Kastriotin me 3 golat e Mazrekajt. Në prononcimin e dh137në pas ndeshjes për “RTSH” Josa analizon ndeshjen dhe më në fund përmend edhe rivalët direkt të Besës. “Nuk është problemi se kishim vështirësi, pasi të gjitha ekipet dinë të mbrohen dhe të luajnë futboll. Ne duhet të respektojmë maksimalisht skuadrat kundërshtare, pasi kështu respektojmë punën tonë. Megjithatë, goli që shënuam në minutat shtesë të pjesës së parë na ndihmoi shumë, pasi ishte goditje për kundërshtarin.

Në pjesën e dytë ishim më të qartë, pasi Kastrioti u hap më tepër. Organika? Nuk kam asnjë peng përsa i përket organikës së skuadrës. Unë jam pyetur për merkaton, por nuk jam ai që ka negociuar. Unë jam i kënaqur me lojtarët që kam, por u kam kërkuar që të jenë më të përqendruar dhe të jemi një skuadër solide. Flamurtari dhe Vora janë rivalët kryesorë të Besës, pasi kanë investuar shumë gjatë verës. Problemi është që një skuadër duhet të dijë, pasi të gjitha skuadrat luajnë për 3 rezultate”, u shpreh trajneri i Besës, Mirel Josa, pas fitores me Kastriotin.

Bubeqi: Besa e meritoi, gjyqtari ndikoi te një gol

Trajneri i Kastriotit, Dorjan Bubeqi, pas ndeshjes pohoi se Besa e meritoi fitoren, por ka pretendime për golin e parë të pësuar. “Ne bëmë një pjesë të parë të mirë, pasi kishim menduar të bllokonim pikat kryesore të Besës, Mazrekaj dhe Oliveira. Krijuam raste, por kam dyshimet e mia për golin e parë i Besës, ku një lojtarët preku topin me dorë. Ky moment na ktheu lojën, pasi nëse pjesa e parë do të mbyllej 0-0, e dyta do të ishte ndryshe. Duke mos u pajtuar me rezultatin, në të dytën bëmë zëvendësime që nuk dhanë atë ç’ka duhej.

Unë e kam thënë që në çdo ndeshje futem vetëm për fitore, ndaj bëra ndryshimet. Mendova se zëvendësimet do na e rrisnin fazën sulmuese, por bënë të kundërtën duke na e ulur ritmin. Rasti i golit të Besës? Kur lojtari i Kastriotit ra në tokë dhe e preku topin me dorë, arbitri e dha faull, ndërsa te goli i parë i Besës veproi ndryshe, vazhdoi lojën. Një moment të kthen ritmin e lojës. Sigurisht që ndikon një vendim i arbitrit, ne trajnerët e dimë më mirë. Gjithsesi, duhet pranuar se Besa e meritoi fitoren”, tha Bubeqi për “RTSH”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"