Bekim Balaj po humbet shënjestrën, “engjëlli” dhe “djalli” i Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2025 | 22:04

Bekim Balaj po humbet shënjestrën, “engjëlli” dhe “djalli” i Vllaznisë

Bekim Balaj mund të themi se ishte “en gjëll” dhe “djall” për Vllazninë në barazimin e fundit të shkodranëve 1-1 kundër Tiranës. Sulmuesi u rikthye tek goli pas 5 ndeshjesh “thatësirë” në Superiore, duke u ngjitur në kuotën e 8 golave në kampionat tashmë. Ku barazoi shifrat ndaj bardhebluve falë një 11-metërshi të fituar nga Kastrati dhe shndërruar në gol nga vetë 34-vjeçari. Por, ishsulmuesi i kombëtares kishte mundësi të kalonte në avantazh shkodranët në fundin e pjesës së parë.

balaj

Ku sërish në këmbët e tij kishte një penallti, por kësaj radhe kapiteni kuqeblu u “hipnotizua” nga Tafas. Që kuptoi krahun e goditjes së shtatlartit dhe nuk lejoi atë dhe Vllazninë të gëzonin për herën e dytë në “klasike”. Kështu Balaj shënoi 1 penallti dhe humbi 1 tjetër, në një takim që duhej të shënonte kthesën e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Kjo është hera e dytë këtë sezon, ku Balaj humbet një penallti në ndeshjet e Superiores.

Ku diçka e tillë i ndodhi edhe në ndeshjen e parë të edicionit kundër Egnatias. Dhe pavarësisht se Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj rrogozhinasve, Balaj do të humbiste një penallti kundër Dajsinanit në minutën e 34-ët të atij takimi. Teksa sezonin e shkuar ishte vetëm Abalora i Elbasanit që arriti t’i neutralizonte një penallti Balajt, ku në duelin e javës së 26-të të sezonit 2024-25, ku mes Vllaznisë dhe Elbasanit u shënua barazimi 1-1, portieri ganez do bëhej “gardiani” i parë që do i priste një penallti Balajt që prej rikthimit të tij në Superiore, në janarin e vitit 2023.

1 FITORE JASHTË – Ndeshjet jashtë fushe kanë qenë me të vërtetë një pikë e dobët e Vllaznisë këtë sezon dhe këtë e vërtetoi edhe barazimi i fundit në transfertë kundër Tiranës. Ku pavarësisht se bardheblutë po vuajnë shumë këtë sezon dhe ndaj shkodranëve u prezantuan me një formacion me shumë të rinj në përbërje, sërish arritën të merrnin një pikë pas shifrave finale 1-1.

Një rezultat që konfirmoi “brishtësinë” e kuqebluve në duele jashtë Shkodrës, të cilat qartazi kanë ndikuar edhe në klasifikimin e ekipit, në një moment ku jemi 1 ndeshje larg përfundimit të gjysmës së parë të sezonit. Kështu 9 herë kampionët e vendit kanë luajtur 9 ndeshje jashtë deri në këto momente të edicionit, duke llogaritur edhe duelin me Vorën në javën e 14-të, por që u zhvillua në Shkodër. E kështu kuqeblutë nga 27 pikë të mundshme në ndeshjet jashtë fushe kanë marrë vetëm 8 të tilla, shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion.

Kështu kuqeblutë në gjitha duele jashtë fushe këtë sezon deri më tani kanë marrë vetëm 1 fitore. Atë ndaj Bylis në shifrat 0-1, në raundin e 7- të të kampionatit. Teksa shkodranët kanë marrë edhe 5 barazime në transferta, kundër Teutës 1-1, Egnatias 2-2, Tiranës 1-1, Partizanit 1-1 dhe Vorës 0-0. Gjithashtu duke u mposhtur edhe nga Dinamo 3-1, Flamurtari 1-0 dhe Elbasani 1-0, ku në të gjitha këto duele kuqeblutë kanë shënuar 7 herë dhe pësuar 10 gola. Duke treguar se pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar rezultatet në transfertë, kuqeblutë nuk e kanë arritur me sukses objektivin e tyre.

Ku në duelet jashtë fushe këtë sezon më dobët se shkodranët kanë bërë vetëm Flamurtari me 7 pikë të grumbulluara dhe po ashtu Tirana e Bylis që kanë marrë nga 6 pikë në ndeshjet si udhëtues. Po ashtu të besuarit e Martinit po mbyllin fazën e dytë të kampionatit vetëm me një fitore në llogarinë e tyre. Kjo e ardhur ndaj Dinamos në javën e 11- të me rezultatin 1-0 falë një goli të Balajt.

E ndërsa gjatë gjithë fazës skuadra ka marrë 5 barazime dhe 2 humbje, teksa do mbyllë gjithçka me ndeshjen e radhës në kampionat kundër Flamurtarit. Kjo përsa i përket fazës së dytë të edicionit 2025-26 të Superiores, ku për kuqeblutë vlen vetëm fitorja. Kjo për t’i bërë një mbyllje pozitive vitit e po ashtu rinisur në janar nga një frymë tjetër, ku skuadrës do i kërkohet reagimi në gjysmën e dytë të sezonit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL