Barjamaj i vendosur: Vora për rezultat pozitiv në Elbasan
Vora do të zbresë në fushë kundër Elbasanit me formacion të plotë dhe është hera e parë këtë sezon që skuadra e Bellait të mos njohë mungesa. Pasi i kanë dhënë “lustrën” e fundit në seancën e djeshme, Vora është e gatshme të përballet me kryesuesit e tabelës në një kampionat ku kanë nisur diferencimet, pasi zona e “play off”-it me skuadrat e tjera kanë nisur shkëputjet, ndërkohë që për vorakët mbetet e vetmja alternativë të mbijetojë.

Por dhe kjo kërkon përkushtim dhe një rezultat pozitiv në Elbasan në mënyrë që të mos kërcënohet pozicionimi i saj. Lidhur me sfidën kundër Elbasanit për “Panorama Sport” flet 27-vjeçari kryeqytetas Mario Barjamaj që do të ketë paraqitjen e 12-të sezonale me Vorën ku në 11 përballjet e mëparshme është aktivizuar në 772 minuta aktive në lojë.
Mario, pyetjes se Elbasani është një test i madh për ekipin e Vorës, sulmuesi i djathtë vorak nuk i fshihet, pasi e vërteton se është një test i madh dhe jo më kot Elbasani ndodhet në krye të superligës, por ne duam fitoren. “Ne humbën sfidën me Egnatian, në një ndeshje të luftuar dhe të vështirë, me raste e diskutime, pro që e kemi mbyllur atë kapitull që ditën e nesërme(sotme).
Por këtë herë nuk pranojmë dy humbje radhazi. Prandaj, ne ndaj Elbasanit do të përkushtohemi maksimalisht, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme duke pasur një peshë të veçantë për shkak të pozitave tona në tabelë. Duam që të rikthehemi te fitorja dhe kjo ndeshje është një mundësi e mirë pasi kemi një formacion të plotë”, tha ai. Lidhur me pyetjen se cili mund të jetë çelësi i një rezultati pozitiv në Elbasan, Barjamaj thotë të tijën. “Disiplina taktike dhe shfrytëzimi i rasteve, janë momentet më të mira për t’u shfrytëzuar.
Elbasani ka lojtarë cilësorë dhe ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Nëse ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të jemi efektiv para portës mund të marrim edhe pikët e plota. Unë ndihem në këtë takim mjaft i motivuar, sepse nuk më mungon eksperienca për ndeshje të tilla dhe përpiqem gjithmonë që të kontribuoj e të ndihmoj shokët e mi të skuadrës si brenda dhe jashtë fushe, duke dhënë kontributin tim maksimal”, ka përfunduar prononcimin e tij sulmuesi i djathtë i Vorës, Mario Barjamaj.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













