Balaj, Bismark dhe Kastrati, “treshja e zjarrit” te Vllaznia
Kampionati shqiptar i futbollit do të rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 7-të të edicionit 2025-26. Gjitha skuadrat e elitës së futbollit tonë do të “ngrohin” edhe njëherë motorët, për një tur force 3 javor, që do mbyllë edhe fazën e parë të kampionatit.

Kështu në këtë mënyrë përjashtim nuk bën as Vllaznia, me shkodranët që në rikthimin e kampionatit dhe aktivitetit të zakonshëm, janë kryesues të Superiores, me 13 pikë në 6 javët e para. Duke shënuar edhe 11 gola e duke pësuar 5 të tillë. Por, skuadra e Martinit duket se nuk kërkon ta ndalojë ritmin, por ta vijojë rrugën e fitoreve e po ashtu të thellojë diferencat me kundërshtarët në fundin e fazës së parë.
Kalendari për kuqeblutë është po aq i favorshëm, por edhe i “sikletshëm” në këto 3 raunde të ngelura të fazës së parë. Kjo pasi 9 herë kampionët e vendit do ndeshen me ekipet që nuk janë pretendente këtë edicion, por që kërkojnë me patjetër pikët për t’u larguar nga vendet e fundit të renditjes. Duke nisur që me përballjen e javës së 7-të, ku Vllaznia shkon në Ballsh si vizitore. Një duel po aq i vështirë, aq edhe i kalueshëm për shkodranët të cilët këtë edicion deri më tani i kanë dominuar gjithë kundërshtarët në aspektin e lojës.
Pas duelit me mallakastriotët, kalendari rezervon “klasiken” e Shqipërisë për Vllazninë, me Tiranën që do vizitojë Shkodrën në kuadër të javës së 8- të. Ku në ndeshjet shtëpiake Vllaznia njeh vetëm fitore, teksa në sezonet e fundit ka dominuar edhe duelet ndaj bardhebluve. E kështu objektivi ngel fitorja edhe kësaj rradhe në “Loro Boriçi”. Sfida që mbyll fazën e parë për Vllazninë luhet në Vlorë ndaj Flamurtarit, një ekipi që ende duket se e ka të vështirë për të gjetur identitetin. Por, që asnjëherë s’mund të nënvlerësohet pavarësisht situatës ku mund të ndodhet. Megjithatë në letër shkodranët kanë mundësinë e marrjes së pikëve të plota në 3 javët e ardhshme të Superiores. Me kalendarin që i ka vënë përballë tre skuadra që momentalisht duken në garën për mbijetesë dhe jo zonat e larta të renditjes së kampionatit.
KASTRATI – Te Vllaznia këtë sezon kanë formuar një nga sulmet më cilësore të kampionatit, ku golashënuesit më të mirë të kampionatit në dy sezonet e fundit, Bekim Balajt i janë bashkuar edhe dy emra me shumë cilësi. Fjala është për Lirim Kastratin dhe Çarls Bismark, dy futbollistë nga të cilët pritet shumë në rradhët e shkodranëve. Kjo edhe për sakrificën ekonomike që klubi ka bërë që dy elementë të tillë të jenë pjesë e skuadrës dhe nën urdhrat e trajnerit Martini gjatë këtij edicioni.
Dhe sulmuesit kanë filluar të japin shenjat e para, me Bismark që ishte protagonist absolut në fitoren e fundit 4-1 të kuqebluve ndaj Partizanit. Ku ganezi përveç se shënoi golin e tij të parë me Vllazninë, ishte edhe fituesi i dy penalltive që u shndërruan në gol nga Balaj. Duke treguar menjëherë se është përshtatur siç duhet me idetë e trajnerit, por edhe me shokët e ekipit.
Tashmë në rradhët e 9 herë kampionëve presin edhe rrjetën dhe zhbllokimin e Lirim Kastratit. I cili po ashtu duket se ka fituar formën më të mirë dhe po luan titullar nga ndeshja në ndeshje. Për 26-vjeçarin një “penalizim” për të qenë disi larg portës është skema 3-5-2 që aplikon Martini. Dhe në këtë mënyrë ish-futbollisti i Dinamo Zagreb duhet të “sakrifikohet” në krah, ku ka zhvilluar kilometra pafund duke ndihmuar jo vetëm në sulm, por edhe mbrojtje. Në një pozicion disi të panjohur për të, por që u vlerësua nga ana e stafit teknik dhe tifozëve për grintën dhe shpirtin luftarak të shfaqur.
Dhe pavarësisht pozicionit ndoshta “jo natyral” për numrin “7-të”, performancat e tij kanë qenë të një niveli shumë të lartë. Madje duke u shpallur edhe si njeriu i ndeshjes në ndeshjen e fundit të fituar ndaj Elbasanit në shifrat 1-0. Tashmë nga kosovari priten edhe golat përveç cilësive dhe shpirtit të garës të padiskutueshëm. Kjo edhe për t’iu bashkangjitur dyshes BalajBismark apo edhe Malës, të cilët i kanë hapur llogaritë e tyre në kampionat.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













