Arifi paralajmëron kuqezinjtë e Flamurtarit: Teuta në sulm për objektivat
Teuta po përgatitet për sprintin final të sezonit, pasi shpresat për një vend në “play off” dhe mundësia për të shkuar deri në fund në Kupë mbeten ende të hapura. Pas 25 javësh kampionat, durrsakët mbajnë vendin e gjashtë në renditje me 33 pikë, vetëm tre më pak se Dinamo dhe Partizani që ndajnë vendet katër dhe pesë. Fitorja me Tiranën e ka rritur së tepërmi optimizmin në kampin durrsak.

Në prag të sfidës të së shtunës ndaj Flamurtarit, Mesfushori me tipare sulmuesi i Teutës, Ergis Arifi, flet për “Panorama Sport” mbi formën e ekipit, objektivat dhe pritshmëritë për këtë përballje të rëndësishme.
Ergis, si po e përgatisni ndeshjen e së shtunës ndaj Flamurtarit?
Po e përgatisim me shumë seriozitet. E dimë që Flamurtari është një skuadër me histori dhe cilësi, ndaj gjatë javës kemi punuar fort si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë fizik. Jemi maksimalisht të fokusuar për të marrë një rezultat pozitiv.
Si e vlerëson kundërshtarin?
Flamurtari është një ekip luftarak, sidomos në ndeshje të tilla. Ka lojtarë me eksperiencë dhe di të menaxhojë mirë momentet e lojës. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo repart dhe të shfrytëzojmë maksimalisht rastet që do të krijojmë.
Teuta vjen pas disa paraqitjeve të mira. A është ky momenti i duhur për vazhdimësinë?
Patjetër. Kur skuadra është në formë të mirë, është shumë e rëndësishme të ruash ritmin. Ne kemi krijuar besim te njëri-tjetri dhe kjo reflektohet në fushë. Një fitore do të ishte shumë e rëndësishme për objektivat tanë në kampionat.
Në planin personal, sa i motivuar je për këtë sfidë?
Si sulmues, gjithmonë dua të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin me gola. Por mbi të gjitha ka rëndësi rezultati i skuadrës. Nëse arrij të shënoj dhe të ndihmoj Teutën të fitojë, do të ishte perfekte. Çfarë mesazhi ke për tifozët? I ftoj të jenë pranë nesh si gjithmonë. Mbështetja e tyre na jep forcë shtesë. Premtojmë që do të japim gjithçka në fushë për t’i bërë krenarë.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













