Apolonia vuan, përmbys Valbonën me dy gola. Pajaziti: Ngushëllohemi me fitoren. Kërnaja: Gjykimi vendosi takimin
Apolonia rikthehet te fitorja në shtëpi pas 50 ditësh. Bardhejeshilët nuk e kishin menduar se do ta kishin kaq të vështirë ndaj Valbonës, që udhëtoi me 13 lojtarë drejt Fierit dhe është thuajse e rënë në të Dytën. Ndoshta nisur nga kjo, fierakët e morën me lehtësi.

Gjithsesi, në fund morën trepikëshin duke mundur me përmbysje tropojanët me rezultatin 2-1. Valbona kaloi e para në avantazh me mesfushorin Xhabafti në minutën e 11-të, që përfitoi nga një gabim i Ndubuisit. Ndërsa fierakët arritën ta përmbysnin rezultatin me dy golat e sulmuesve Umejiego dhe Maksuti. Në minutën e 43-të, Umejigeo ktheu në gol penalltinë e fituar nga Maksuti. Ndërsa në të 68-tën, Maksuti kalon Apoloninë në avantazh. Ka qenë një lojë thuajse e barabartë, me një dominim të lehtë të Valbonës, por cilësia dhe përvoja e lojtarëve fierakë bënë diferencën me dy gola.
Me këtë trepikësh, skuadra e trajnerit Sedat Pajaziti ngjitet në vendin e shtatë në renditje dhe u afrohet me vetëm 3 pikë Pogradecit e Lushnjës, që janë të më të afërtat për zonën “play off”. Apolonia rrezikon që në minutën e 3-të me sulmuesin Umejiego, që kërcen më shumë se të gjithë, godet me kokë dhe shënon. por gjyqtari Çela, i ndodhur fare pranë, akordon faull në dëm të portierit Domi dhe goli anulohet. Në të 64-tën, tropojanët pretenduan për një penallti, por gjyqtari vijoi lojën.
APOLONIA – VALBONA 2-1
GOLAT: Umejiego 43’ (11-m), Maksuti 68’ / Xhabafti 11’
APOLONIA: Kaçaj, Hebeja, Ndubuisi, Mulbah, Kofi, Rakipaj (Repaj 85’), Idriz (Bejzade 46’), Topi, Trifoni (Kane 90+2’), Maksuti, Umejiego; (Në dispozicion: Bushi, Asllanaj). Trajner: Sedat Pajaziti
VALBONA: Domit, Lala (Islamaj 72’), Artur, Rosaj, Doçi, Kamilo, Uesli, Mateli, Balla, Xhabafti, Taka; (Në dispozicion: Llanaj). Trajner: Oltion Kërnaja
KARTONË TË VERDHË: Hebeja 43’, Bejzade 72’ / Lala 38’, Taka 64’, Xhabafti 90+1’
GJYQTARË: O.Çela (Lushnjë), D.Shkëmbi (Skrapar), A.Muxhaj (Gjirokastër)
VËZHGUES: Fatmir Tare (Durrës)
DELEGAT: Genc Misha (Tiranë)
Pajaziti: Ngushëllohemi vetëm me fitoren
Sedat Pajaziti, trajneri i Apolonisë, pas ndeshjes tha: “Të tregohem i sinqertë, përveç fitores dhe trepikëshit, asgjë tjetër nuk më kënaqi. Nuk ishte ndeshje e interpretuar mirë dhe as e dominuar nga ana jonë, por ‘ngushëllohemi’ me pikët maksimale. Fundja, ato kanë më shumë rëndësi dhe njëherazi bëjnë diferencën në renditje. Duhet të ulemi dhe ta analizojmë këtë ndeshje, pavarësisht se fituam. Duhet të përmirësojmë vetveten, nisur edhe nga fakti që kundërshtarët e radhës janë Korabi e Kukësi, që kanë qëllim për të dalë nga vorbulla e ‘play out’-it. Na presin ndeshje të vështira. Apolonia duhet të jetë gati kurdoherë dhe konkurruese e denjë në ‘play off’-in”.
Kërnaja: Gjykimi vendosi takimin
Oltion Kërnaja, trajneri i Valbonës, pas takimit deklaroi: “Nuk jam i zhgënjyer që dolëm pa pikë, por zhgënjimi im më i madh është se mundi dhe djersa e lojtarëve të mi u hodh poshtë. E kishim përgatitur ndeshjen për të qenë në lartësinë e duhur, por gjyqtarët vendosën që kjo ndeshje të merrte kah tjetër dhe Valbona të humbiste. Jo se do të kishte ndonjë ndryshim të madh nëse ne fitonim, pasi dihet fati ynë, por do të ishte një hap fals për Apoloninë”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL













