Angelo Tafas, lojtari më produktiv i Tiranës
Të dhënat statistikore tregojnë një skuadër të ndërtuar mbi vazhdimësinë dhe hierarkinë e qartë të roleve. Ngarkesa e minutave është e përqendruar te një bërthamë prej 6-7 lojtarësh, çka tregon stabilitet në formacion, por edhe varësi të theksuar nga elementë kyç.
Angelo Tafas, me 1620 minuta në 18 ndeshje, konfirmohet si pikë fikse absolute në portë, duke ofruar siguri dhe ritëm të pandërprerë në prapavijë. Në vijën mbrojtëse dhe në mesfushën shkatërruese, Luciano Vera (1423 min), Rimal Haxhiu (1407 min) dhe Kleandro Lleshi (1368 min) përbëjnë boshtin strukturor të ekipit. Ky grup ka garantuar ekuilibër, por profili i tyre statistikor tregon më shumë peshë në fazën mbrojtëse sesa kontribut ofensiv, pasi asnjëri prej tyre nuk ka shënuar gol.
Valerianos, pavarësisht moshës 33-vjeçare, ruan një rol të rëndësishëm për nga minutazhi (1321 min., ndonëse është larguar), duke qenë referencë për eksperiencën. Mesfusha me prirje krijuese ka dhënë sinjalet më pozitive. Rafael, Eliton Junior dhe Tsotne Patsatsia kanë prodhuar së bashku 6 gola, duke përfaqësuar burimin kryesor të kontributit nga linja e dytë.
Aktivizimi i Serxhio Vogli në 16 ndeshje, megjithëse me minutazh të kufizuar, tregon një strategji të qartë për integrimin gradual të talenteve të reja pa cenuar balancën taktike. Në fazën ofensive, analiza është e drejtpërdrejtë, sepse Serzh Tabeku mban peshën kryesore të golave, me 5 realizime, që përbëjnë mbi një të tretën e prodhimit total të skuadrës. Varësia nga ai është evidente, pasi pjesa tjetër e sulmuesve kanë kontribuar në mënyrë sporadike, me nga një gol secili.
Kjo shpërndarje sinjalizon nevojën për më shumë alternativa dhe rritje të eficiencës kolektive në zonën kundërshtare.
PANORAMASPORT.AL













