Ngjashmëritë: Luka Modriç, Andrea Pirlo, Sul Mema…
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Luka Modriç ende luan futboll (me Milanin, më përpara me Realin); Andrea Pirlo ka luajtur dikur futboll (me Milanin dhe Juventusin); Sul Mema ka luajtur dikur futboll (me Shkëndijën dhe Tiranën).

Dhe mes këtyre mesfushorëve shtatvegjël të periudhave të ndryshme, të klubeve të ndryshme, ka disa ngjashmëri. Luka Modriç është shpallur një sezon futbollisti më i mirë i botës (ka fituar Topin e Artë); Andrea Pirlo është shpallur tre sezone futbollisti më i mirë i Italisë; Sul Mema është shpallur një sezon futbollisti më i mirë i Shqipërisë.
Të tre janë shquar për vizionin, teknikën, kreativitetin, pasimin, si edhe për aftësinë e jashtëzakonshme në gjuajtjet e lira (encet) afër zonës së rreptësisë. Dhe për më tepër, të tre janë shquar edhe në pengimin e sulmeve kundërshtare, duke treguar një nuhatje 360 gradë – sikur Zoti ose Natyra t’u ketë dhënë një shqisë të gjashtë qysh në lindje!
Është shumë vështirë të gjenden statistika futbollistike për ndeshjet e Sul Memës; jo aq vështirë për ndeshjet e Andrea Pirlos. Por gjithsesi, po të gjenden, mund të konsiderohen si të një niveli të barabartë teknikisht me të Luka Modriçit. Zoti ose Natyra u dhuroi këtyre tre mesfushorëve shtatvegjël aftësi të jashtëzakonshme për klubet ku kanë luajtur futboll!
PANORAMASPORT.AL













