Alegri është gati të hakmerret ndaj Milanit, kërkon menjëherë te Napoli futbollistin që iu bashkua kuqezinjve falë tij
Masimiliano Alegri ka mbyllur aventurën me Milanin por po fillon menjëherë përgatitjen e etapës së radhës në karrierë që e sheh në drejtimin e Napolit. Ai ka gjetur akordin me napolitanët dhe kësisoj po nis të projektojë menjëherë ekipin me të cilin do të përballojë kampionatin, por edhe Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Dhe paralelisht planifikon një “hakmarrje” ndaj Milanit.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, Alegri do të përpiqet të tundojë edhe Adrien Rabio që t’i bashkohet te Napoli. Nuk është mister që mesfushori zgjodhi Milanin pikërisht falë pranisë së Alegrit aty dhe mund të bëjë të njëjtën gjë gjatë kësaj vere, nëse nuk e bind projekti me kuqezinjtë.
Sigurisht gjithçka mbetet në fazën e hipotezave, por Rabio ka treguar se mund të largohet pa probleme edhe nga projekte të rëndësishme, siç ndodhi me PSG-në apo me Juventusin, për të nisur gjithçka nga e para. Nëse do të ndiqte Alegrin, kjo do të ishte padyshim një nga goditjet më të rënda për Milanin të cilit edhe me një largim të mundshëm të Modriç, do i duhej të ribënte nga e para të gjithë mesfushën.
PANORAMASPORT.AL













