Albaneze udhëheq ofensivën, Egnatia synon kryesimin ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2025 | 21:46

Albaneze udhëheq ofensivën, Egnatia synon kryesimin ndaj Partizanit

Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë nesër me Partizanin në shtëpi. Një përballje e rëndësishme për kampionët, që duan të mos humbasin terren me kreun dhe pse jo ta marrin kryesimin. Për këtë takim, Egnatia do të ketë dy mungesa të detyruara për shkak kartonësh.

Albaneze

Flamur Ruçi dhe Guliem Haime do të kryejnë një javë pezullim pas kartonëve të verdhë të marrë në sfidën e fundit ndaj Dinamos, por që nuk do t’i prishin balancat e skuadrës. Duket se kampionët e kanë rigjetur sërish ritmin dhe gjithnjë e më shumë po dalin në pah afrimet e bëra gjatë merkatos së verës, të cilat po japin frytet e veta. E pat thënë më herët në javët e para të kampionatit vetë trajneri Edlir Tetova që skuadra do ta kapë ritmin e saj, vetëm është çështje kohe ambientimi të afruarev me skuadrën dhe “shkrirjen” e tyre me lojtarët e tjerë.

GOLAT NGA MERKATO – Egnatia po konfirmon se suksesi ofensiv i këtij sezoni lidhet drejtpërdrejt me afrimet nga merkato. Shifrat flasin qartë dhe tregojnë një prirje të fortë: golat që po mbajnë ekipin konkurrues po vijnë kryesisht nga lojtarët e afruar rishtazi, duke dominuar ndjeshëm ndaj atyre që kanë qenë pjesë e skuadrës më herët.

Në total, Egnatia ka realizuar 20 gola, nga të cilët 12 gola janë të shënuar nga afrimet e merkatos, ndërsa kontributi i bërthamës së vjetër të ekipit mbetet më i kufizuar me 7 gola. Kjo diferencë tregon qartë se merkatoja nuk ka qenë thjesht plotësuese, por thelbësore në ndërtimin e identitetit sulmues të skuadrës. Një tjetër element domethënës është fakti se ekipi ka përfituar edhe 1 autogol, por edhe ky detaj nuk e ndryshon panoramën e përgjithshme: peshën kryesore në finalizim e mbajnë afrimet e reja.

Ato kanë sjellë jo vetëm gola, por edhe ritëm, intensitet dhe zgjidhje të ndryshme në fazën ofensive, duke e bërë Egnatian më të paparashikueshme për kundërshtarët. Kjo tregon se drejtuesit kanë lexuar saktë nevojat e ekipit dhe kanë goditur në zgjedhjet e tyre, duke sjellë elementë që ndikojnë menjëherë në rezultat. Ai që prin në krye është pikërisht sulmuesi Alesandro Albaneze me gjashtë rrjeta të realizuara, duke e futur në garë edhe për të pretenduar “Këpucën e Artë” në fund të edicionit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL