Alarm te Vllaznia, nuk ka më hapësirë për gabime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2026 | 19:32

Alarm te Vllaznia, nuk ka më hapësirë për gabime

Vllaznia kërkon rikthimin te fitorja në sfidën e radhës ndaj Dinamos, një duel që merr rëndësi të veçantë për ecurinë e kuqebluve në kampionat. Pas dy rezultateve jo bindëse, barazimit pa gola ndaj Egnatias dhe humbjes minimale 1-0 përballë Flamurtarit, skuadra shkodrane ndodhet përballë një momenti delikat, ku reagimi është i domosdoshëm.

Vllaznia

Dy hapat e fundit “fals” kanë lënë gjurmë në renditje dhe në moralin e ekipit, duke e bërë ndeshjen ndaj kryeqytetasve një test karakteri për Vllazninë. Një tjetër ndalesë nuk është më një opsion i pranueshëm për kuqeblutë, të cilët synojnë të rikthehen menjëherë te rezultatet pozitive dhe të ruajnë objektivat sezonalë. Nga ajo që është parë në seancat stërvitore të ditëve të fundit, atmosfera në kampin shkodran duket optimiste.

Lojtarët kanë shfaqur përkushtim dhe intensitet, ndërsa fokusi është vendosur te përgatitja sa më e mirë për përballjen ndaj Dinamos, një kundërshtar që gjithmonë kërkon vëmendje maksimale. Grupi është pothuajse i plotë dhe në harmoni, çka i jep më shumë alternativa stafit teknik në ndërtimin e formacionit. Megjithatë, mungesa e Kastratit mbetet një goditje e rëndësishme, pasi lojtari ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi, duke reduktuar opsionet në repartin ku ai aktivizohej.

Trajneri Martini, së bashku me stafin e tij, po punon me detaje për këtë sfidë, duke analizuar me kujdes pikat e forta dhe të dobëta të Dinamos. Përgatitjet taktike dhe menaxhimi i situatave të lojës pritet të jenë kyçe në një ndeshje që mund të vendosë shumë për vazhdimësinë e sezonit. Për Vllazninë, kjo përballje nuk është thjesht një ndeshje radhe, por një mundësi për të dhënë një sinjal të fortë. Një fitore ndaj Dinamos do të rikthente besimin dhe do të rihapte rrugën drejt objektivave, ndërsa çdo rezultat tjetër do të shtonte presionin në një moment ku gabimet nuk falen më.

PANORAMASPORT.AL