Akordi, një sulmues nga Italia për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 17:45

Akordi, një sulmues nga Italia për Elbasanin

klajdi zgjanaElbasanit i hapet “oreksi” dhe është duke gjurmuar talente jashtë kufijve të Shqipërisë. Burime të besueshme pranë kampit elbasanas konfirmojnë për “Panorama Sport” arritjen e një marrëveshjeje me sulmuesin 17-vjeçar që luan në Itali, Klajdi Zgjana. Mësohet se drejtuesit verdheblu kanë firmosur një parakontratë me sulmuesin shtatlartë, që në janar apo sezonin e ardhshëm të bëhet përfundimisht pjesë e Elbasanit, pasi shohin te futbollisti cilësi të mira.

Momentalisht sulmuesi Zgjana i datëlindjes 28.03.1998 luan me skuadrën e Ponsaços në provincën e Pisas, në rolin e një sulmuesi qendre, edhe pse në raste të veçanta luan në krah dhe bën shpesh edhe rolin e njeriut asist. Aktualisht ky lojtar ka filluar stërvitjen me Elbasanin, ku po shihet më imtësisht nga tekniku Muharrem Dosti dhe nëse do të jetë nevoja mund të qëndrojë që këtë sezon me verdheblutë. Nga ana tjetër, mësohet se edhe vetë futbollisti e ka me dëshirë të luajë për skuadrën e qytetit të tij, në mënyrë që më vonë të shihet edhe nga kombëtaret e moshave për të mbrojtur ngjyrat e kombit të vet. Kështu, pas arritjes së marrëveshjes me Shehajn, Toçin dhe Sopjanin, Elbasani ka siguruar edhe sulmin për të ardhmen.

Ndërkohë burimet pranë klubit pohojnë për gazetën se janë në bisedime edhe me 3 lojtarë të tjerë cilë- sorë nga kampionati shqiptar, të cilët luajnë në repartin e avancuar të mesit të fushës. Nga ana tjetër, klubi është vënë në gjurmët e një portieri për këtë sezon, pasi marrëveshja me Elvis Kotorrin nuk u arrit dhe ky pozicion ka mbetur vakant. Shpresat janë te një rikthim i Shkëlzen Ruçit, që aktualisht është në radhët e skuadrës së Bylisit dhe palët vijojnë të jenë në bisedime për ta bërë të mundur këtë transferim. Aktualisht verdheblutë i kanë dy “gardianë” që kanë dalë nga moshat, Myftarago dhe Kalemani.