Afrimi i fundit i Partizanit, në Kupën e Botës me histori frymëzuese
Partizani zyrtarizoi Karlos Martinezin si përforcimin e tretë para ndeshjeve të Europës. Pas afrimeve të Skukës dhe Isgandarlit në sulm, ishte radha për të përforcuar repartin e mbrojtjes. Dhe pse është emër anonim për futbollin shqiptar, ky transferim është i veçantë te “demat”.

Kjo, pasi te Partizani nuk ka luajtur asnjë lojtar nga Kosta Rika, që nga rikthimi në Superiore. Martinez po ashtu është unik edhe për Superioren. Mbrojtësi i djathtë vjen me eksperiencë, që nuk është provuar nga lojtarë të tjerë në futbollin shqiptar.
26-vjeçari ka provuar të luajë një ndeshje Botërori. Kosta Rika përballej me Spanjën në Botërorin e vitit 2022, ndërsa Martinez aktivizohej në pjesën e parë. Historia e tij u tregua si frymëzuese gjatë Botërorit të Katarit. I lindur në një familje të varfër, lojtari i ri i Partizanit nuk kishte mundësi për të blerë as këpucët e duhura për të luajtur futboll.
Në vend që të ndalonte, ai vazhdoi të stërvitej. Aftësitë e tij nisën të bien në sy dhe shumë shpejt u pikas për të bërë hapa të mëdhenj. Në një klub si Partizani ku shumë fëmijë po rriten edhe me ekipin e parë, Martinez mund të shërbejë si shembull motivimi. Partizani ka një lojtar që ka luajtur në Kupën e Botës dhe e nisi nga zero…
PANORAMASPORT.AL













