AF Elbasani i përgjigjet Shoqatës së gjyqtarëve: Nuk keni të njëjtin standard

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2026 | 19:21

AF Elbasani i përgjigjet Shoqatës së gjyqtarëve: Nuk keni të njëjtin standard

Klubi AF Elbasani i është përgjigjur menjëherë deklaratës së Shoqatës së Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit. Verdheblutë me anë të një video nga sfida Elbasani-Dinamo hedhin poshtë pretendimet e shoqatës, duke i nxjerrë zbuluar dhe vërtetuar se standardi i gjykimit në Shqipëri nuk është i njëjtë në takimet e Kategorisë Superiore. Për këtë qëllim, Elbasani i është kthyer pas sfidës mes Elbasanit dhe Dinamos(14 shtator 2025 e mbyllur 1-0 për verdheblutë) ku ka ndodhur një situatë e ngjashme.

WhatsApp Image 2026-02-12 at 19.16.44 (2)

Aliji e nis faullin jashtë zone dhe ndërhyrja vazhdon edhe në zonë. Gjyqtari në fillim akordon penallti për Elbasanin dhe karton të verdhë për lojtarin e Dinamos. Vendimi ndryshohet nga gjyqtari, pasi konsultohet me VAR-in. Arbitri pas 5 minutave heq penalltinë dhe konfirmon faullin jashtë zone dhe jep karton të kuq.

Pra, sipas AF Elbasanit nuk ka të njëjtin standard me rastin Skuka-Kasa, ku gjyqtari jep faull jashtë zone dhe karton të kuq për Kasën. Nga ana tjetër, anësori e konsideron penallti, duke hedhur poshtë precedentët e mëparshëm. “Shoqata duhet të ketë një standard dhe ose është gabuar në sfidën e fazës së parë mes AF Elbasani-Dinamo ose në takimin mes AF Elbasani-Partizani. Nuk mund të ketë dy vendime të ndryshme për një rast të ngjashëm”, përgjigjet AF Elbasani.

Për klubin verdheblu shqetësues është dizenjimi i gjyqtarëve. Si ka mundësi që një arbitër nga Tirana jo i FIFA-s dërgohet nga dizenjatori Jareci në Elbasan. “Kjo është e papranueshme dhe prish barazinë në lojë”, ishte përgjigja e AF Elbasanit.

Çfarë ndodhi në 14 shtator 2025
Minutat 25-30-të: Penallti e anuluar për Elbasanin! Një kundërsulm i shpejtë i Diallo, ndalet nga Aliji me një ndërhyrje që rrëzon në tokë sulmuesin e vendasve. Kryesori bën shenjë nga pika e bardhë dhe ndëshkon me të verdhë mbrojtësin e Dinamos. Grimçi shkon vetë të shohë pamjet në monitor, pasi diskutohet momenti ku është bërë ndërhyrja nga Aliji. Penalltia anulohet dhe bëhet faull jashtë zone, por kartoni i verdhë bëhet i kuq për faull si lojtar i fundit. (VIDEO)

PANORAMASPORT.AL