2.2 milionë euro fitime, por Partizani “dogji” një sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2025 | 23:23

2.2 milionë euro fitime, por Partizani “dogji” një sezon

Ky sezon i Partizanit rezultoi i dështuar në aspektin sportiv. Të kuqtë nuk fituan dot trofe dhe i vetmi ngushëllim ishte kualifikimi në Ligën e Konferencës, ku do ta nisin aventurën nga turi i parë kualifikues.PARTIZANIPor futbolli i sotëm, përveç aspektit sportiv, përmban edhe atë financiar dhe mund të themi se Partizani ka korrur sukses sa i përket fitimeve. Shitjet kanë qenë burimi kryesor i klubit të kuq, që ka arritur të arkëtojë plot 1.9 milionë euro vetëm nga shitjet e futbollistëve në harkun e një viti. Klubi i kuq arriti të shiste Magetin në verë te Racing Santander, teksa në janar Tedi Cara, Arinaldo Rrapaj, Andi Hadroj dhe Kristian Mba u shitën në Ukrainë për një shifër që flitet të jetë afro 1.4 milionë euro. Përveç shifrave të grumbulluara tashmë nga shitjet, të kuqtë morën 20 mijë euro si vend i katërt pas 36 javësh nga FSHF-ja teksa për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës kanë të sigurta 325 mijë euro, por nëse kalojnë ture, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm. Në total, Partizani në harkun e një viti ka arritur të sigurojë 2.2 milionë euro, çka përbën një shifër të konsiderueshme.

DËMI – Të shesësh është shumë e rëndësishme, por Partizani me lëvizjet e bëra në janar nuk garantoi vazhdimin e një cikli dhe vazhdimësinë. Të kuqtë pësuan një rënie drastike sportive, që u reflektua në rezultate dhe i bëri të kuqtë që në ndeshjet e luajtura në vitin 2025, të regjistronin shifra mbijetese. Në 17 ndeshje të luajtura Partizani grumbulloi vetëm 20 pikë, duke nxitur një ringjallje të Elbasanit, që në një moment arriti t’i kalojë në pikë, por “Demat” reaguan si duhet në ndeshjen e fundit, duke kaluar në “Final 4”.

CIKËL – Me mënyrën e keqe të menaxhimit të skuadrës dhe merkatos pas shitjeve, Partizani “vrau” edhe vazhdimësinë. Të kuqtë janë të detyruar të provojnë një cikël të ri për të synuar ta ringjisë klubin në nivelin për të konkurruar Egnatian, Dinamon apo Vllazninë, skuadra që e treguan veten mbi Partizanin në pjesën e dytë të sezonit. Fakti është se skuadrës i duhen afrime të shumta dhe seleksionime në organikën aktuale.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL